Loading...

 

Shtetet e Bashkuara, rrezikojnë t’i kthejnë shpinën Europës dhe kjo po ndodh jo vetëm për shkak të Donald Trumpit – shkruan France Inter në një analizë, e cila konkludon se kriza mes SHBA dhe BE po e ndryshon botën që kemi njohur deri më sot.

Analitikja franceze e quan këtë që po ndodh një ndryshim epokal, po aq të rëndësishëm sa edhe shembja e Murit të Berlinit.

Sipas saj, kjo kthesë në raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës “daton që nga dështimi i frikshëm dhe i parashikueshëm i aventurës irakiane të Xhorxh Ë.Bushit”.

“Nën presidentin Obama dhe tani nën Trumpin, Shtetet e Bashkuara besonin se duhet të mendonin më së pari për veten, duke mos i kushtuar shumë vëmendje Europës dhe Lindjes së Mesme, dhe duke u fokusuar në përplasjen e madhe me Kinën. Me shtimin e një sasie të madhe të ligësisë dhe vulgaritetit, Donald Trump nuk bën gjë tjetër, veçse ndjek rrugën e paraardhësve të tij” – shkruan France Inter, cituar nga DITA.

FI shton se gjëja më shqetësusese në këtë që po ndodh është shpërbërja e NATO-s.

“Është e qartë se arsyeja e parë, se përse po hyjmë në një fazë krejtësisht të re, është përçarja e Aleancës Atlantike. Tani që po shpërbëhet, e kuptojmë rëndësinë e saj, si dhe zbrazëtinë që do të krijohet me mungesën e saj.

Në një kohë kur Kina, po përgatitet të bëhet fuqia kryesore ekonomike në botë, kur popullsia perëndimore po bie, ndërsa ajo afrikane po rritet në mënyrë dramatike, ku teknologjia nuk është më vetëm perëndimore, dhe ushtria kineze po rritet në fuqinë e vet me një ritëm të çmendur, perëndimorët i lejojnë vetes luksin e ndarjes” – shkruan FI.

Loading...