Loading...

Plot 320 milionë lekë është fondi i vënë në dispozicion të financimit të projektit “”Rikonstruksioni i godinave të konvikteve të studentëve në qytetet Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër”. Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme fondin ku ka theksuar se Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe përfituesit do të jenë ndërmarrjet e trajtimit të studentëve.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 50 e 51, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Financimin, në vlerën 320 000 000 (treqind e njëzet milionë) lekë, të projektit “Rikonstruksioni i godinave të konvikteve të studentëve në qytetet Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër”, në përputhje me projektet e Institutit të Ndërtimit”,-theksohet në Fletoren Zyrtare.

Autoriteti kontraktues dhe zbatues i projektit, pra Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të nënshkruajë marrëveshjen e investimit me ndërmarrjet e trajtimit të studentëve, të cilat janë të detyruara të marrin masa për lirimin e godinave të studentëve si dhe pajisjen me lejet e nevojshme, në përputhje me legjislacionin për planifikimin e territorit. Në buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, miratuar për vitin 2019, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”, në programin “Programe Zhvillimi”, shtohet fondi prej 64 (gjashtëdhjetë e katër) milionë lekësh.

Në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, miratuar për vitin 2019, në zërin “Shpenzime kapitale të brendshme”, në programin “Arsimi i Lartë”, pakësohet fondi prej 64 (gjashtëdhjetë e katër) milionë lekësh. Diferenca e fondit të nevojshëm për zbatimin e plotë të projektit si dhe vlera e kostos operacionale të FSHZH-së do të lëvrohet nëpërmjet buxhetit të shtetit, në përputhje me ecurinë e zbatimit të punimeve, deri në vlerën e plotë, sipas pikës 1, të këtij vendimi. “Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Ndërtimit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi”,-thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ky vendim hyri në fuqi ditën e djeshme me botimin në Fletoren Zyrtare.

Loading...
Loading...
Loading...