Loading...

Autori i plagosjes së 16-vjeçarit shqiptar në Romë është lënë në arrest shtëpie dhe ka treguar incidentin e ndodhur kur adoleshenti e dy të tjerë hynë në banesën e tij për ta vjedhur.

‘Ishin tre vetë, njëri mbante një levë. Doja të shtija pa i plagosur, por mendimi i parë ishte për vajzën time që ishte në shtëpi. Nëse ai person nuk do të kishte hyrë në shtëpinë time nuk do të kishte ndodhur asgjë’, thotë 29-vjeçari nga Monterotondo.

Të njëjtat fjalë ka thënë edhe zëvendëskryeministri e ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini. ‘Ndoshta ai e thotë në mënyrë më ilustrative, por thelbi është i njëjtë. Tani kam frikë nga hakmarrja, sepse ma kanë bllokuar pistoletën dhe nuk jam i armatosur’, thotë Andrea.

Pas plagosjes, 16-vjeçari u la, supozohet nga bashkëpunëtorët, para urgjencës së spitalit Gemelli në Romë në gjendje shumë të rëndë.

‘Ishte një ngjarje nga ato që askush nuk i pret të ndodhin’, thotë i zoti i shtëpisë në Radio Cusano Campus.

‘Ajo që më ndodhi mua mund t’i ndodhte fqinjit apo nënës sime. Kjo është gjëja që më ka tronditur më tepër, paparashikueshmëria e një ngjarjeje të tillë. Dëgjova zhurmë në shtëpi dhe shkova te kasaforta të merrja pistoletën.

Pas e mora, shkova drejt dhomës nga vinin zhurmat. Ndjeva rezistencë kur provova të shtyja derën. E shtyva me forcë e u gjenda përballë tre personave. Njëri mbante derën për të mos më lënë të hyja, pastaj ishin edhe dy të tjerët. M’u gjendën përballë me një levë hekuri’.

Reagimi ishte i menjëhershëm:

‘Shtiva dhe ata ia mbathën. Kur i pashë, mendimi i parë ishte për vajzën time që gjendej në katin më sipër. U tremba shumë. Avantazhi i të pasurit të pistoletës ishte për t’i trembur. Në përleshje fizike me të tre mund të kishte përfunduar më keq.


Me pistoletë arrita të mbrohesha pa shkaktuar dëme. Shtiva pa menduar t’i plagosja. Më pas më thanë që njëri ishte goditur. Nuk e di sa herë kam shturë. Gjëja që më ka bërë përshtypje është që krismat, nën efektin e adrenalinës, më dukeshin si zhurmë fishekzjarrësh.

Jam qitës sportiv, mbaj armë. Ata u larguan menjëherë, por nuk e pashë me çfarë makine ikën. Kur u larguan e kuptova se në çfarë rreziku kisha qenë. Prindërit e mi ishin në Portugali, mendonin se mund të vidhnin pa u shqetësuar’.

A do ta bënte sërish? ‘Në momentin që një person zgjedh rrugën e krimit është vetë ai person që vë në rrezik jetën e tij. Po të mos kishte hyrë në shtëpinë time e gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur’. syri.net

Loading...
Loading...
Loading...