Loading...

Në këtë takim mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isai flitet mbi akuzat që rëndonin, sipas tyre për Mehmet Shehun. Pjesë e listës së arrestimeve do të ishin një numër i lartë zyrtarësh që sipas diktatorit kishin lidhje me Mehmet Shehun dhe kërkonin ta vrisnin atë.

Në të takim tregohet se si inskenohet një akuzë, për kumar, dhe më pas do të përfundonte në burg për akuzat e tjera.

Sipas dialogut Enver Hoxha thotë se Mehmet Shehu ka dashur ta helmojë me ndihmën e agjenturave të huaja.

Pjesë nga biseda

Enver Hoxha: Janë këta që do të na bëjnë ne të njohim gjithë pjesëtarët e komplotit. Si të mos arrestohet Gani Kodra. Ky njeri sipas informatava të mia, ishte njeriu më i besuar i Mehmet Shehut që i ruante këtij brenda në shtëpi bile deri kasafortën, që nga koha e komplotit të Beqir Ballukut. Ky i thoshte Mehmet Shehut të bëhet kështu dhe të bëhet ashtu instalimi i antenës, të bëhet me rrjete etj. Ky pastaj ka shoqëruar Skënder Shehun në Stokholm. Atëherë si ta lëmë jashtë ne këtë njeri?

Hekuran Isai: Ta bisedojmë njëherë këtë, shoku Enver.

Enver Hoxha:-Të vijmë tani te Façori. Këtij ne duhet t’i marrim krahët përpara se ta arrestojmë. Po kë të arrestojmë më parë. Disa nga ata që ishin me të , për shembull shefin e sigurimit të rrethit të Durrësit.
Hekuran Isai:-Lirimin?

Enver Hoxha: Nuk e di si e quajnë. Të arrestojmë gjithashtu shefin e sigurimit të ushtrisë Çerçizin. Për ç’arsye t’i arrestojmë këta? T’i arrestojmë se “kanë luajtur kumar” dhe kumari dënohet me ligj. Ja, pra, kemi një arsye, kemi një bazë që t’i arrestojmë. Nga kumari vemi pastaj te “kumar” tjetër, pse këta ishin njerëzit më të besuar të tij.

Hekuran Isai:– Edhe Tahir Maloja ishte i lidhur ngushtë me këta.

Enver Hoxha:-Tahir Malos pra dorën në zverk. Edhe ai tjetri, Kadri Gojashi e ka hak dorën në zverk, sipas mendimit tim. Berberit të “Dajtit” gjithashtu dorën në zverk.

Hekuran Isai: Po, ne kemi propozim edhe për arrestimin e berberit.

Enver Hoxha: Po, edhe berberi i “Dajtit” të arrestohet. Domethënë disa punonjës të sigurimit të shtetit, që janë nga më kryesorët e më të komprometuarit me Façorin dhe që mund të dinë edhe gjëra të tjera, t’i arrestojmë dhe kemi arsye përse t’i arrestojmë, prandaj, veprojmë pa vonesë.

Hekuran Isai: Drejt, shoku Enver.

Enver Hoxha: Pse i them këto? I them se besoj që edhe ti e ke kuptuar që ky ka qenë një komplot i madh.

Hekuran Isai: Shumë i madh është, dhe jo i vitit 1961.

Enver Hoxha: Këtu nuk është çështja se këta do të vrisnin Enverin . Këtu është çështja të shkatërrohej Shqipëria socialiste që të mos ekzistonte. Pikërisht për këtë kanë luftuar për 40 vjet me radhë. Fakt është se Partia ka qëndruar në pozita të drejta dhe në krye të kësaj kam qenë unë që për ta isha bërë i padëshiruar. Përse? Për ta arritur një gjë të tillë. Dhe armiqtë për gjithçka ishin në dijeni se kishin agjenturën e tyre në radhët tona. Është një luftë agjenturash këtu.

Hekuran Isai: Gërshetim agjenturash është, luftë është kundër socializmit.

Enver Hoxha: Kundër Shqipërisë Socialiste.

Hekuran Isai: S’është puna vetëm sa për të marrë një territor këtu si ky i vendit tonë.

Enver Hoxha: As për territor, as për çështjen time, megjithëse unë isha bërë një pengesë për ta. Me atentat me armë, Mehmet Shehu nuk mund ta bënte këtë veprim, populli nuk do ta pranonte këtë dhe as vetë nuk ishin të sigurt që të ngriheshin, pastaj zgjodhën rrugën e helmit. Agjentura mendonte eliminimin tim , sepse ishte fare mirë e informuar. Pas helmimit bëhej njëfarë procedure me kryesorët, kurse të tjerët i asgjësonte me radhë. Ja, do të bënin këtë që po bëjmë ne për këta., të qëronin Hekuranin dhe tërë shokët e tjerë dhe në vend të tyre të vinin njerëz si këtë të Durrësit e kështu me radhë gjithë të tyret. Ky pra është një komplot i madh që nuk kufizohet as te Mehmeti, as te Fiqreti, as te Skënder Shehu dhe te Feçori. Sigurisht që këta janë nga më kryesorët, janë agjentë ordinerë, por me potencial, agjentë klasikë, të ndyrë që venë deri në vrasje. Këta nuk janë kundërshtarë politikë dhe ideologjikë, që të ngrihej Mehmet Shehu e të thosh nuk jam dakord me këtë ose atë pikëpamje të Partisë…

***

Hekuran Isai:-E thotë Skënderi, shoku Enver. Më fal se të preva fjalën. Ky thotë kështu që babai, mbasi na u rekomandua që të bëhej fejesa pas vdekjes së Hysni Kapos, ai erdhi në punë në Komitetin Qendror. Fejesën ne deshëm ta bënim në 1980, por ai e shtyri se na tha që ‘nuk e kam të sigurt për ç’arsye po hiqem tani si ministër i mbrojtjes, prandaj ti, bir, mos vepro njëherë. Mirëpo, kur erdhi me punë në Komitetin Qendror dhe filloi nga aktiviteti tha se ‘jam hequr për të forcuar punën këtej’ dhe e porositi djalin ta fillonte përsëri çështjen e fejesës. Në këtë kohë urdhrin për helmim e kishte marrë, helmi kishte ardhur, mirëpo kur doli çështja e fejesës, Partia nuk e lejoi, ky ngarkoi Skënderin të vente t’i çonte Rajsit, aty nga data 12 shtator një letër nga ana e tij për ta njoftuar që fejesa që kishin rekomanduar amerikanët u prish nga udhëheqësi, i cili e ka konsideruar këtë veprim gabim, si dy vija në Parti, prandaj babai tani është në një gjendje shumë të rëndë dhe më porositi t’iu them se duhet bërë ndonjë incident, ndonjë shantazh, për ndryshe situata për të është e rëndë. Vetëm një incident…

Enver Hoxha:-Incidentin e kërkonte ky.

Hekuran Isai:– Po, incidentin ia kërkonte Rajsi, Mehmetit. Vetëm ndonjë incident ose ndonjë shantazh mund ta çojë çështjen e fejesës në plan të dytë dhe ta ngrejë përsëri autoritetin tim atje ku doni ju. Unë jam dakord i përgjigjet Rajsi, pastaj ai iku për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, kur u kthye, iu përgjigj se edhe ata, amerikanët, ishin dakord, por me një kusht, që incidenti të zbulohej dhe Shqipëria t’i përgjigjej.

Enver Hoxha:-E bën Jugosllavia këtë.

Hekuran Isai:– E bën Jugosllavia këtë si duket edhe me ndonjë mënyrë tjetër. Ky thotë se edhe me nëndetëse mund të bëhet incidenti. Dhe nëndetësja që erdhi, mundet në 13 shtator, ditën e bisedës me Rajsin. Mirëpo kjo kohë është shumë e shkurtër, prandaj ky mund të ketë biseduar më përpara dhe ngul këmbë se biseda duhet të jetë bërë nëpërmjet Skënderit. Kështu erdhi nëndetësja u bënë shantazhet dhe si ushtarak ky nga kjo ngjarje do ta merrte veten dhe fejesa do të kalonte në plan të dytë, se nuk ish koha për t’u marrë me këtë çështje.

Enver Hoxha:-Po, po tani kemi gjë tjetër.

Hekuran Isai:-Pra, këto çështje thotë ky djalë në proces./ Opinion.al

Loading...
loading...
Loading...