Loading...

Një punëtor ndërtimi në një objekt në rikonstruksion në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë është qëlluar me plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës. Policia e Tiranës nis hetimet, ende nuk dihet identiteti i punëtorit, ndërkohë që mbeten pa identifikuar edhe autori/ët.

TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, ku një person ende i paidentifikuar, punëtor në një objekt në rikonstruksion, është qëlluar me plumb në kokë.

Policia e Tiranës njofton përmes informacioneve paraprake, se ngjarja ndodhi sot rreth orës 11:30 dhe se punëtori u qëllua pranë objektit në rikonstruksion. Blutë e Tiranës thonë se ai është ende i paidentifikuar, rreth moshës 30 vjeç.

Të plagosurit i është dhënë ndihma e parë dhe u transportua në spital për ndihmë të specializuar në Spitalin e Traumës. Nga aty, Report Tv mëson nga bluzat e bardha se ai ka marrë një plumb në kokë. Mësohet se ai aktualisht ndodhet në gjendje kome dhe nuk i është nënshtruar ende një ndërhyrje kirurgjikale. Në këto kushte ende nuk dihet nëse si mund të ketë më shumë se një plumb në kokë.

Personi është qëlluar pranë objektit që është në rikonstruksion, një ndërtesë tre katëshe në zonën e Mylsym Shyrit. Në policinë e Tiranës por edhe në spital, nuk kanë mbërritur persona të afërm që mund të ndihmojnë në identifikimin e të plagosurit në gjendje të rëndë.

Pak para ngjarjes së rëndë, i plagosuri mësohet se ka qenë në shoqërinë e një tjetër punëtori, me të cilin po punonte në objekt. Nuk dihet nëse mes tyre ka ndodhur ndonjë konflikt, por punëtori është gjetur i plagosur brenda objektit, pa praninën e kolegut tjetër. Kanë nisur shoqërimet e para në polici, të personave që mund të jenë bërë dëshmitarë të kësaj ngjarje të rëndë, detajet e të cilëve mund të ndihmonin në zbardhjen e dinamikës dhe identifikimin e autorëve.

“Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Loading...
Loading...
Loading...