Loading...

Autoritetet greke kanë hartuar një raport shumëfaqësh në lidhje me disa sulme e grabitje në ishullin grek Zakyntho, që janë të përfshira banda kriminale të shqiptarëve dhe grekëve.

Raporti i është dorëzuar Shërbimit Kundër Terrorizmit të Greqisë, mëson gazeta greke “To Vima”.

Sipas raportit të siguruar nga kjo gazetë, bëhet fjalë për sulme me eksplozivë ndaj bankomateve në Zakyntho, ku janë grabitur mijëra Euro. Evidentohet gjithashtu se të përfshirë në krime janë edhe disa policë grekë të korruptuar. Ata mbajnë marrëdhënie me grupet kriminale të grekëve dhe shqiptarëve, thuhet ndër të tjera në raport. Policët e korruptuar grekë ndihmojnë gjithashtu këto organizata për të pastruar paratë e grabitura.

Raporti nis me grabitjen që ndodhi në Zakyntho më 19 prill 2016, ku një biznesmeni ju morën 580 mijë Euro. Autoritetet greke identifikuan dy shqiptarë si autorë dhe dy grekë të përfshirë gjithashtu në këtë grabitje. Në raport theksohet se rasti i grabitjes së 580 mijë eurove është ndjekur nga zyrtarë të Policisë Greke. Aty thuhet se një oficer i policisë mori 250 mijë Euro, një shqiptar që u arratis në Lushnje mori 80 mijë Euro, ndërsa pjesa tjetër e parave ndodhen në Zakyntho. Zyrtari i korruptuar i policisë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, investoi paratë duke ndërtuar dy qendra argëtimi dhe ka blerë 20 makina të cilat i jep me qira, evidentohet në raportin sekret.

Shqiptari tjetër që qëndron në ishullin e Zakyntho dhe një bashkëpunëtor i tij investuan gjithashtu paratë e grabitura të biznesmenit. Ata hapë dy restorante dhe hotele në. Autoritetet lokale të ishullit grek janë vënë në dijeni për transaksionet bankare, ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Pavarësisht pastrimit të parave, shqiptari dhe bashkëpunëtori i tij vazhduan aktivitetin e tyre kriminal. Ata organizuan vjedhjen e një shtëpie, ku morën 180 mijë Euro. Emrat e shqiptarëve të përfshirë nuk janë bërë publik për shkak të sekretit hetimor.

Ndërkohë, një pjesë e policëve grekë të korruptuar janë klientë të rregullt të disa lokaleve të natës në ishull, ku kryhet trafik droge. Ata “mbyllin sytë” kundrejt përfitimeve. Janë sërish shqiptarët të përfshirë edhe në trafikun e drogës. Janë i njëjti grup kriminal shqiptar që vepron në Zakyntho, në bashkëpunim edhe me shtetas grekë dhe zyrtarë të korruptuar të policisë. Droga mbahet e magazinuar në disa banesa në Athinë, dhe më pas trafikohet drejt ishullit të Zakyntho ku dhe u shitet turistëve kundrejt çmimeve të larta.

Shitja e drogës bëhet pikërisht në lokalet dhe bizneset e anëtarëve të bandës. Raporti nxjerr në pah gjithashtu se anëtarët e bandës kriminale janë të pajisur me kallashnikovë dhe armë të tjera, kurse rreth dy muaj më parë banda kriminale bleu eksplozivë për të grabitur bankomatet. Muajin e kaluar u vodhën tre pika bankomatesh përmes shpërthimeve me eksploziv. Sulmi i më i fundit ndaj një bankomati ndodhi më 20 gusht 2017. Autoritetet kanë informacion se një bankomat tjetër që ndodhet pranë aeroportit të ishullit dhe që përmban sasi të konsiderueshme parash, mund të goditet nga banda e shqiptarëve. Sipas informacioneve të hetuesve grekë, banda kriminale ka marrë informacion për bankomatin nga një zyrtar i kompanisë së sigurisë. /tvklan.al

Loading...
Loading...
Loading...