Loading...

 

Presidenti Ilir Meta ndodhet sot në qytetin e Gramshit, ku do të marrë pjesë në konferencën për mendimtarin e shquar Antonio Gramshi.

Në aktivitet për të nderuar filozofin dhe aktivistin e majtë italian me origjinë shqiptare, marrin pjesë politikanë e studiues italiane, shqiptarë dhe arbëreshe. Aktiviteti zhvillohet në sheshin kryesor të Bashkisë së Gramshit, me pjesëmarrjen e Kryebashkiakes Luljeta Dollani.

I pranishëm do të jetë dhe shkrimtari dhe gazetari italian, Mario Brunnetti, i cili së fundi ka publikuar një libër për jetën dhe veprën e Antonio Gramshit.

“I lumtur të jem në Gramsh për promovimin e librit të arbëreshit të madh Mario Brunetti, për mendimtarin e shquar europian, Antonio Gramshi, me rrënjë nga ky qytet kaq i dashur dhe paqësor.”- shkruan Meta në një postim në facebook.

Kush ishte Antonio Gramshi?

Antonio Gramshi

Antonio Gramshi lindi në Ales (Sardenja) më 22 janar 1891. Ai ishte politikan, filozof, gazetar, gjuhëtar e kritik letrar italian dhe gjatë gjithë jetës së tij ruajti mbiemrin e sjellë nga Shqipëria.

Më 1911 mbaroi liceun në Kaljari dhe fitoi bursë për të studiuar në fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Torinos. Më 1914 u anëtarësua në Partinë Socialiste. Gjatë Luftës I Botërore studioi mendimin marksist dhe u bë teoricieni kryesor i tij.

Ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste italiane më 1921. Sekretar i përgjithshëm i PK italiane më 1925, ai u bë shpejt një nga referencat intelektuale së bashku me Bordigën.

Më 1926 u burgos nga regjimi fashist, i akuzuar për komplot me qëllim rrëzimin e pushtetit shtetëror fashist, me anën e forcës, për nxitje të luftës civile, për ndezjen e luftës klasore dhe për propagandë subversive.

Paraardhësit e Antonio Gramshit vinin nga qyteti i Gramshit në Shqipëri dhe mund të kenë arritur në Itali që nga shekulli i pesëmbëdhjetë, gjatë emigrimit shqiptar të shkaktuar nga pushtimi turk. Dokumentet arkivore italiane tregojnë se në shekullin e tetëmbëdhjetë Gennaro Gramsci, i martuar me Domenica Blaiotta kishte në pronësi në Plataci, komunitet arbëresh i qarkut Castrovillari, prona të trashëguara më pas nga stërgjyshi i Antonio Gramshit, Nikola Gramshi (1769-1824). Origjina e largët shqiptare njihej edhe nga vetë Antonio Gramshi, por ai e imagjinonte më të vonë, siç i shkruante të kunatës, nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931.

“…Unë vetë nuk kam asnjë racë; im-atë është me origjinë shqiptare të vonshme (familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821 dhe u italianizua brenda një kohe të shkurtër)…Megjithatë kultura ime është italiane në themel dhe kjo është bota ime; asnjëherë nuk e kam ndier veten të copëtuar midis dy botësh… Qenia ime si shqiptar nuk u përmend për tallje, pasi edhe Krispi ishte shqiptar, kish mësuar në një kolegj shqiptar dhe fliste shqip”.

Antonio Gramshi njihej në Shqipëri nga intelektualët shqiptarë që në vitet ’30, por emri i tij u bë emblematik pas vitit 1943, me krijimin e batalionit “Antonio Gramshi”. Ky batalion ishte një formacion partizan i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, i përbërë nga ish-ushtarë antifashistë italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943) iu përgjigjën thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh për luftë kundër nazistëve gjermanë. U formua më 9 tetor 1943 dhe u rreshtua në përbërje të Brigadës i Sulmuese, komandant i së cilës ishte Mehmet Shehu. Infoelbasani.al

Partizanë të batalionit “Antonio Gramshi” Shqipëri

Loading...
loading...
Loading...