Loading...

Speciale, nga editor, infoelbasani.al

Po afrojnë festat dhe gjeli i detit mban statusin e “mbretit” të tryezës së Vitit të Ri. Ky shpend kërkon disa kondita të veçanta që të mbarështrohet. Ai mund të rritet vetëm në zonat fushore dhe deri diku kodrinore të vendit.

Por ndërsa mund të mbarështrohet në një territor të konsiderueshëm, cilësia e mishit është treguesi themelor që bën diferencën.

Tashmë të gjithë e pranojnë botërisht; Peqini mbetet kryeqyteti i Gjelit të Detit. Jo thjesht nga sasia e krerëve, por nga cilësia e mishit të tij. Fermerët e kësaj bashkie e kanë të garantuar shitjen e gjelave. Madje ata prenotohen që një vit më parë. Dhe aktualisht klientët nga Tirana, Durrësi, Elbasani etj, udhëtojnë për në Peqin për të marrë porosinë.

Fama e gjelit të detit të Peqinit i ka kaluar kufijtë shqiptarë. Një blerës nga Tirana shprehet se ka porositur 10 gjela dhe se mjaft prej tyre do tua dërgojë miqve të tij në vende të ndryshme të botës si dhuratë për vit të ri.

Po përse gjeli i detit në Peqin është kaq i shijshëm?

Sipas ekspertëve të kuzhinës dhe nutritologëve gjeli i detit të Peqinit zotëron shije të rrallë për disa arsye.

Së pari kjo ka të bëjë me farën autoktone. Pra me pula deti që janë biologjikisht të pastra të pa kryqëzuara me gjela të racave të tjera.

Përr pulat që prodhojnë vezët dhe që do të jenë nënat e ardhshme të tufës,  tregohet kujdes i veçantë. Ky kujdes është i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit dhe ka të bëjë si me ushqimin ashtu edhe me strehimin.

Pjellja e vezëve nis në muajt janar-shkurt.  Mbarështrueset kujdesen që ti ruajnë në vende të pastra e të freskëta këto vezë deri sa të nisë ngroja. Sipas traditës, ato vendosen në shporta mbi hirin e zjarrit. Shpjeguar shkencërisht, hiri përmban kalcium, fosfor dhe garanton njq qëndrim të butë të vezës.

Më pas vjen faza e shtrimit. Mbarështruesit në Peqin zgjedhin vendet më të mira për qokat që ngrohin vezë. Madje shpesh ata i vendosin edhe brenda ambienteve familjare për të garantuar qetësi, ngrohtësi dhe siguri për qokat. Vezët kontrollohen disa herë gjatë ngrohjes. Temperatura e mjedisit duhet të jetë konstante.

Pastaj vjen faza e çeljes së vezëve. Veç kujdesit të qokave, për zoqtë e vegjel kujdesen posaçërisht rritësit. Sërish ambienti duhet të jetë i ngrohtë dhe me parametra të caktuar. Këtu nis edhe formula e të ushqyerit. Zogjtë e sapoçelur ushqehen me vezë të zier, me kos dhe me hisëll. Të gjithë këta elementë garantojnë vlerat e nevojshme ushqimore. Madje kosi e veçanërisht hislli (hithra) shërbejnë edhe si antibiotikë natyralë.

Në të njëjtën kohë nis edhe kujdesi shëndetësor. Zoqtë vaksinohen që në moshën 24 orëshe nga sëmundje të rrezikshme siç është Pseudopesti (kolera).

Zogjtë nuk dalin menjëherë në natyrë. Ata qëndrojnë për disa ditë në ambiente të ngrohta dhe të pastra. Sepse ata janë mjaft të ndjeshëm ndaj temperaturës. Që prej këndej ka dalë shprehje “Je delikat si  një zog deti”.

Pas disa ditësh, kur zogjtë janë rritur tashmë kalohet në fazën e nxjerrjes në natyrë. Të ushqyerit në natyrë e kombinuar me ushqimin bio nga vetë fermerët kanë rëndësi për cilësinë e mishit. Asnjëherë nuk u jepen produkte që mbajnë erë. Por vetëm ushqime bio.

Dhe kështu muaj pas muajsh gjelat rriten. Kërkohet një angazhim i lartë familjar.

Në fazën e fundit të rritjes, kalohet në një “meny” tjetër në të ushqyerit e tyre. Për të garantuar një mish akoma më cilësor, në dietë shtohen kokrrat ose bërsitë e ullirit.

Tufa vazhdon të qëndrojë gjithnjë në natyrë, në mënyrë që gjelat të mos plogështohen dhe të zënë dhjamë të padobishëm. Pra një mish me pak dhjamë të infiltruar mes fijeve muskulore. Ky është mishi ideal sipas dietologëve.

Gjeli i detit konsumohet kryesisht i pjekur. Me lengun e tij përgatitet “peshesh” ku hidhen edhe erëza kryesisht menexhik.

Në fakt kërkohet mund i madh i cili reflektohet edhe në çmimin që kanë gjelat në fund të vitit. Por, një herë në vit ia vlen të shijosh mishin e rrallë të gjelave të Peqinit.

Gjeli i detit mbetet një nga aktivitetet kryesore të fermerëve të kësaj bashkie dhe ata po i rrisin dita-ditës tufat e tyre. Infoelbasani.al

 

Loading...
Loading...
Loading...