Nga Artan Fuga

Sa herë shoh ndonjë version filmi mbi Trojën, gjithmonë më ka lindur pyetja: Po këta trojanët kaq budallenj ishin saqë pranuan dhuratën e kundërshtarit? Si e futën kalin e drunjtë në Kalanë e tyre?Thonë në legjendë se e hëngrën dredhinë e grekëve! Kështu thonë rrëfimet greke. Unë nuk i besoj atyre. Është i njëanshëm. Kush ta hante atë dredhi? Pse budallenj ishin trojanët!!! Ata ishin luftëtarë, kishin civilizim të kulturuar, kishin ngritur gjithë atë qytet-shtet, kishin ndërtuar një kala shumë të fortë.

Pse çiliminj ishin ta hanin dredhinë me kukamçefti të helenëve që gjoja ikën me anije por në fakt u fshehën pas një kodre në një gji deti??? Duhet të ishim naivë ta besonim. Gjoja një pjesë e parisë të qytetit donte ta fuste kalin në qytet si tradhtare që ishte. Po, gjithmonë gjysma e parisë të një vendi është tradhtare, kolaboracioniste, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. Për pushtet tradhton kombin. Por, këtu nuk shkon sepse që të futej kali në qytet vendimin duhet ta merrte vetë mbreti Priam. Nuk të falte ai me mençurinë e tij, nuk ishte ndonjë çili-mi që i erren sytë nga pushteti i falur…

Atëherë përse e pranuan? Unë mendoj se kjo ndodhi ngaqë ata në bazë të mentalitetit të tyre kishin frikë misterioze të mos e pranonin një dhuratë për një hyjni. Kishin frikë se kjo do t’u sillte fatkeqësi shumë më të mëdha po të refuzohej. Hyjnia do të tërbohej me ta. Mirë mo mirë, e futën brenda mureve, po përse nuk panë brenda barkut të kalit të drunjtë çfarë kishte, mos kishte të fshehur ushtarë helenë! Nuk e bënë sepse përsëri mentaliteti, paragjykimet, besimet e verbta, sipas meje, nuk i lejonin të shihnin brenda kalit. Për atë kohë rregullat e luftimit ishin të shenjta. Luftohej me rregulla që ishin shumë të shtrenjta.

Nuk përdorej dredhia në dyluftim. Ishte si sot sikur t’i thuhej dikujt të bëhej kanibal dhe të hante njerëzit e shtëpisë të gjallë!!! E bën dot? Jo! Edhe në atë kohë nuk prisheshin kurrë rregullat e luftimit të ndershëm. Nuk kishte ndodhur kurrë në histori. Por, ja që njëherë që ndodhi, dhe dredhia hyri në artin e luftimit. Grekërit nuk është se ishin më dinakë nga të tjerët, ta bënin të keqen të gjithë dinin, por për herë të parë nga ambicia futën dredhinë në betejë. Trojanët këtë nuk mund ta parashikonin, por jo se ishin apo u treguan naivë. Ajo ishte gjendja mendore dhe morali i tyre. Trojanët u dogjën sepse ishin të moralshëm, jo sepse ishin budallenj, dhe për rrjedhojë pranuan kalin me ushtarë brenda dhe nuk panë se çfarë kishte në bark.

A nuk pranojmë ne të moralshmit tenderët sot kur fitojnë gjoja me konkurrim mashtrues të përhershëm që bëjnë lojëra të pista pas kurrizit tonë? A nuk jemi ne si trojanët?Përse habitemi me trojanët, kur ne pranojmë vetë çdo ditë kalin në qytet? Jo sepse edhe ne nuk dimë dredhi, të merremi me drogë, me korrupsion, me vjedhje, me trafiqe klienteliste, por sepse morali nuk na i lejon t’i bëjmë. Jemi viktima të moralit. Kështu e pëson i moralshmi, digjet. Ndodhet i papërgatitur përpara dredhisë të re të radhës.

Por, jo se nuk është i zgjuar. Morali e pengon të shohë përtej rregullave të shenjta. Ata nuk mund të shihnin brenda barkut të Kalit sepse nuk mund të dyshojë njeriu te dhurata që pranon. Kali ishte mistik dhe i paprekshëm. As të dyshohej mbi të nuk dukej se lejohej. E hoqën mendjen që andej. Ndonëse thellë në subkoshiencë ndjenin se po bënin vetëvrasje. A nuk e çon morali njeriun drejt sakrifikimit! Mendësitë, zakonet, normat morale, besimet nuk të lenë të shohësh se çfarë ka përtej tyre. Sikurse thoshte Niçja thyerja e tabusë ndëshkohet, por ama ai që kalon përtej duke e shkelur sheh më shumë gjëra, kupton më shumë nga jeta, vëren një botë që të tjerët nuk e shohin dot se janë të ndershëm sipas kohës të tyre.

 

loading...