Loading...

 

Kryeministri Edi Rama është betuar mbrëmjen e sotme si ministër i jashtëm në ambientet e Presidencës.

Kryeministri Edi Rama ka qëndruar vetëm 6 minuta në ambientet e Presidencës për betimin dhe më pas ka dalë duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Rama u betua si ministër një ditë pasi Kuvendi miratoi dekretin e presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit në krye të MEPJ dhe emërimin e Ramës edhe në postin e ministrit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është shkarkuar dje nga Kuvendi me 77 vota pro dhe 1 abstenim. Vota abstenim ka qenë nga deputeti Spartak Braho, ndërsa vetë ministri ka votuar pro shkarkimit të tij. Sakaq, kryeministri Edi Rama është emëruar si ministër i jashtëm me 78 vota pro.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama vendosi të marrë vetë edhe postin e ministrit të Jashtëm pas refuzimit që i bëri Presidenti Ilir Meta kandidaturës së Gent Cakës me pretendimin se nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Kjo çështje shkaktoi përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë, ndërsa Rama ka thënë se mazhoranca do padisë presidentin Meta për shkelje të Kushtetutës sapo ky organ të formohet.

Loading...
Loading...
Loading...