Loading...

Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk sot zhvilloi një vizitë në Tiranë ku vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria dhe theksoi se meriton hapjen e negociatave. Ai foli edhe për ‘fiksimet’ që sipas tij, BE-ja nuk i shmang kurrë edhe kur një shtet bëhet anëtar i BE-së. Kryeministri Rama i akordoi medaljen e ‘Yllit të Mirënjohjes’. Donald Tusk, ashtu si zyrtari i lartë i DASH, pak ditë më parë nuk takoi Presidentin Ilir Meta.

TIRANE-“Bashkimi Europian duhet të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Tetor”. Kështu u shpreh nga selia e qeverisë së Shqipërisë, Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk. Pas takimit që zgjati rreth 50 minuta me kryeministrin, teksa i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, Tusk doli në një deklaratë për mediat me Edi Ramën.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se i kishte akorduar ‘Yllin e Mirënjohjes’ në shenjë falenderimi për mbështetjen që i kishte dhënë Shqipërisë për procesin e integrimit. Ndërsa, Tusk në fjalën e tij, vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe kërkoi ruajtjen e tre ‘fiksimeve’ sikur i cilësoi ai, të cilat sipas tij, BE-ja nuk i shmang kurrë, ruajtjen e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin.

Por teksa në Maqedoninë e Veriut në 11:00 u takua me Presidentin dhe në 11:45 me kryeministrin Zoran Zaev pati edhe një konferencë, në Shqipëri nuk takoi asnjë përfaqësues tjetër politik përveç kryeministrit Rama, përfshirë edhe Presidentin Ilir Meta. Tusk është zyrtari i dytë ndërkombëtar, pas Zyrtarit të DASH, David Kostelancik, që gjatë vizitës në Shqipëri nuk takon presidentin e Republikës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Tusk: Shqipëria meriton negociatat, ja tre fiksimet e BE-së që duhet të plotësohen (VIDEO)

Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk deklaroi sot nga Tirana se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të integrimit në Tetor. Ai vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, por kërkoi që të vijojë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi.

“Sot ju më thatë se e meritoj këtë medalje për mbështetjen e dhënë, këtë yll të madh. Medalja më e madhe do të ishte çelja e negociatave për Shqipërinë. Në sajë të përpjekjeve tuaja i jemi afruar këtij objektivi dhe askush nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël, as në Tiranë dhe as në kryeqytetet e BE-së. Në qershor krerët e BE-së u angazhuan për një vendim të qartë me ju dhe Maqedoninë në Tetor. Po i afrohemi më shumë këtij momenti. BE-ja duhet të celë negociatat, si me Shqipërinë edhe me Maqedoninë.

Në takimin e sotëm diskutuam edhe rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit, ky fiksim i BE-së me sundimin e ligjit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi është pjesë e ADN-së sonë dhe ka për të qenë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar.

Për ndryshe projekti europian nuk do të qëndronte dot në themele të forta. Integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është në interes edhe të Europës, pasi nuk do të jetë Europë stabël pa integrimin e të gjithë Ballkanit. Këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të të ardhmes tonë, askush nuk po i bën askujt ndonjë nder” tha Tusk.

Loading...
Loading...
Loading...