Loading...

 

Nga Shkëlzen Henkoja

Thellohet bilanci i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në disa fshatra të Cërrikut dhe Gramshi. Më rëndë rezulton se janë goditur fshatrat Gostimë, Shtërmen dhe Malasenj.

Uji ka vërshuar nëpër shtëpitë e banorëve duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Lartësia e ujit e kaloi mbi një metër në disa zona. Në një lagje pranë komisariatit të Cërrikut ka përmbytje të mëdha. Të paktën 5 familje janë dëmtuar rëndë.

Sipas banorëve, uji ka përmbytur të mbjellat e stinës, shpendë dhe kafshë. Qindra krerë me shpezë dhe dhjetëra kafshë rezultojnë të humbura dhe mendohet se janë marrë nga uji e kanë përfunduar në Devoll.

Banorët tregojnë se është hera e dytë që përmbyten. Por këtë radhë, sipas tyre, dallga ishte shumë e madhe aq sa mori përpara gjithçka.

Ata kërkojnë ndihmë nga pushteti dhe qeveria, pasi përmbytja u ka shkatërruar gjithçka. Deri më tani nuk ka një bilanc për dëmet, por sipas të dhënave paraprake, kjo përmbytje ka shkaktuar dëmtime të mëdha dhe mjaft familje janë të rrënuara.

Loading...