Loading...

Prej datës 1 prill të këtij viti, rreth 740 mijë pensionistëve nga mbarë vendi iu lind e drejta të përfitojnë një rritje pensioni prej 2.8%, bazuar në vendimin më të fundit të qeverisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, eksperti i ekonomisë, Phd. Klodian Muço tregon të gjitha kategoritë që do të përfitojnë nga rritja. Më tej, ai konkretizon nëpërmjet shembujve sesa do të jetë shtesa, bazuar në masën e pensionit të individit, bazuar në pensionet e llogaritura para dhe pas janarit të 2015-ës. Por eksperti ndërkohë thekson se kjo nuk është një rritje pensionesh, por një indeksim, një detyrim i Këshillit të Ministrave, që mbron pensionet nga ajo që quhet “gërryerja” e përditshme e inflacionit. Muço bën me dije për të gjithë të interesuarit që preken nga vendimi se shtesa minimale kap shifrën prej 385 lekësh të reja në muaj, ndërsa shtesa maksimale arrin në 770 lekë; kjo bazuar në masën e pensionit. Pra, sa më e madhe të jetë masa, aq më e lartë edhe shtesa e përfituar pas indeksimit me 2.8%. Sipas VKM-së, rritjen nga indeksimi në masën 2.8% e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve të pleqërisë duke nisur nga pensionet e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore, për të vijuar te pensionet sociale, pensionet e invaliditetit përfshirë edhe invalidët e luftës, pensionet familjare, pensionet e veçanta të ushtarakëve, pensionet suplementare shtetërore të punonjësve në universitete apo qendra studimore etj.

Këshilli i Ministrave vendosi që pensionet të indeksohen në masën 2.8%. A është realizuar realisht ky indeksim?
Nëse do të shohim indeksin e çmimeve të konsumit në kompleks për vitin 2018, të publikuar nga INSTAT, vërejmë se ky indeks u rrit me rreth 2% për 2018-ën. Në këtë rast mund të themi se Këshilli i Ministrave e ka realizuar indeksimin duke çuar edhe pensionet me më pak se 1%. Nëse do të jepnim një përgjigje pak më precize, atëherë do të duhej të shikonim indeksin e çmimeve të konsumit sipas produkteve, më konkretisht atë të produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike si dhe indeksin e rritjes së nivelit të produkteve shëndetësore (pasi këto janë produktet kryesore që konsumohen nga pensionistët), në këtë rast rritja mesatare e indeksit në fjalë ka qenë 2.675%. Në të këtë rast mund të themi se Këshilli i Ministrave ka bërë një indeksim të pensioneve për të ruajtur nivelin e mirëqenies që ka qenë përgjatë 2018, pa tentuar ta përmirësojnë këtë të fundit sado pak për vitin aktual.

Çfarë përfaqëson indeksimi i pensioneve me 2.8%?
Shumë media vizive, të shkruara apo shumë politikëbërëse me dashje apo pa dashje e quajnë këtë indeksim një rritje të pensioneve. Pjesa dërmuese e pensionistëve, duke përfshirë edhe mamanë time lumturohen kur dëgjojnë lajme të tilla. Në realitet ky është thjesht një koeficient që mbron pensionet nga rënia e fuqisë blerëse të monedhës sonë kombëtare (inflacioni). Siç e përmenda edhe më sipër, në këtë rast edhe pse do zhgënjej shumë pensionistë, nuk kemi të bëjmë me rritje të pensioneve, thjesht kemi një indeksim të inflacionit. Për të bërë një konfront me Kosovën, një komb shqiptar si ne, por shumë më i ri si shtet. Rritja e pensioneve për 2019-ën në Kosovë u propozua të ishte 20%. Duhet të theksojmë këtu që niveli i pensioneve në Kosovë ishte dhe është më i lartë se ai në Shqipëri. Mora Kosovën për të mos e bërë edhe me tragjike situatën, për të konfrontuar pensionet shqiptare me nivelin e pensionet në Serbi apo Malin e Zi si dhe rritjen e tyre çdo vit.

Sa është numri i individëve që do të përfitojnë nga shtesa e pensionit?
Sipas VKM-së, rritjen nga indeksimi në masën 2.8% e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve të pleqërisë. Duke nisur nga pensionet e ish- anëtarëve të kooperativave bujqësore për të vijuar te pensionet sociale, pensionet e invaliditetit përfshirë edhe invalidët e luftës, pensionet familjare, pensionet e veçanta të ushtarakëve, pensionet suplementare shtetërore të punonjësve në universitete apo qendra studimore etj. E thënë ndryshe në numra, përfituesit nga indeksimi 2.8% janë rreth 638 mijë persona, që trajtohen me pensionet e lartpërmendura. Nga kjo rritje po ashtu do të përfitojnë edhe rreth 100 mijë individë të tjerë, që bëjnë pjesë në skema të tjera. Pra, në total do të përfitojnë nga indeksimi rreth 740 mijë persona që jetojnë në territorin e Shqipërisë si dhe ata pensionistë që përfitojnë një pension pleqërie në Shqipëri, por që jetojnë jashtë territorit shqiptar.
Sa variojnë shifrat e rritjes së pensioneve pas 1 prillit të këtij viti?
Duke ju referuar VKM-së, mund të themi se është marrë vendimi që pas datës 1 prill 2019, pensionet e ndryshme të pleqërisë, por jo vetëm, që përmendëm pak më parë të caktuara me ligjin nr.150/2014 që kanë datë fillimi të së drejtës deri më 31.12.2014, nuk do të jenë më pak se 13 753 lekë në muaj. Përsëri jo më pak se 13 753 lekë s’do të jenë as pensionet e parakohshme. Pensionet e pleqërisë s’do të jenë më shumë se 27 506 lekë. Pra, indeksimi do të jetë nga 385 lekë deri më 770 lekë. Për t’ju rikthyer shembullit të Kosovës, rritja e pensioneve për 2019-ën do të jetë nga 15-34 euro. Ndërsa te ne, pak a shumë rritja do të jetë sa çmimi i dy litrave naftë që i harxhojnë mesatarisht makinat e deputetëve të Republikës së Shqipërisë për të bërë rrugën nga parlamenti deri në një prej shumë restoranteve në të dalë të Tiranës. E thënë ndryshe, fondi për indeksimin e pensioneve ishte parashikuar 2.45 miliardë lekë. Pak a shumë sa kosto e ndërtimit të një km autostradë në Shqipëri. Ose, ose sa 0.0000002% e shumës që gjen KLSH çdo vit si shpërdorime të fondeve publike.

A marrin kompensim të ardhurash pensionet e llogaritura para 1 janarit të vitit 2015-të?
Po. Rritje do të përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.4.2019 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.3.2019, përfshirë edhe këtë datë.

A do të ndihet indeksimi prej 2.8% tek pensionet e përllogaritura pas janarit të vitit 2015?
Më lejo të bëj një parantezë të shkurtër. Në Shqipëri çdo pagë deri në vitin 2015 shumëzohet me një koeficient të caktuar për të llogaritur më pas pensionin. “Pagat para 1994-ës bashkohen me pagën ose kontributin që ka derdhur secili. Për të llogaritur pensionin, në të dyja periudhat (para dhe pas 1994-ës) bashkohen dhe merret parasysh 1% e kontributit që është derdhur deri në momentin që personat dalin në pension. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për efekt të llogaritjes së pensioneve, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese duke e indeksuar me inflacioni, sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si edhe mbi pagat individuale, mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994, ose me pagën minimale të vitit përkatës”, përcakton ligji për sigurimet shoqërore. Në vende të tjera si psh. Italia, për përllogaritjen e pensionit përdoret sasia e akumuluar e kontributeve dhe kjo shumëzohet me një koeficient (5.6%), që del nga në varësi të pritshmërisë së jetës. Kjo e fundit me fillimin e krizës ka filluar që të ketë një tendencë të lehtë rënie në vitet e fundit. Pra, sistemi duket se është pak më “i drejtë” se sistemi shqiptar. Përtej kësaj, përgjigja e pyetjes tuaj përsëri edhe në këtë rast, siç e lartpërmenda është po!GSH

Loading...
Loading...
Loading...