“Scientific American”: “Misteret e pazgjidhura rreth varrit të mbretit egjiptian Tutankhamun”

51

Imazhet e skanuara kohët e fundit të dhomave të fshehta, mund të hedhin dritë mbi çështjet që rrethojnë jetën dhe vdekjen e faraonit rë ri, si dhe vendin e tij në historinë e Egjiptit

Nga Zak Zorih

“Scientific American”

Arkeologët mendonin se dhoma e fundit e varrimit në Luginën e Mbretërve në Egjipt, qe zbuluar edhe para se Hauard Karteri të hapte varrin e paprekur të faraonit Tutankhamun në vitin 1922. Mbreti Tut sundoi Egjiptin vetëm për një dekadë, në vitet 1332-1322 para Krishtit, dhe vdiq rreth moshës 19-vjeçare. Varri i paprekur nga plaçkitësit para zbulimit të tij, dhe i mbushur plot me objekte ari, ndezi imagjinatën e publikut, duke e bërë atë një nga mumiet më të famshme dhe të studiuar intensivisht të Egjiptit, shkruan bota.al.

Në fakt varri i Tutankamunit nuk qe sekreti i fundit që ruante lugina. Gjatë 10 viteve të fundit, janë zbuluar edhe dy dhoma të tjera funerali: njëra është një zonë magazinimi për arkivolet dhe objektet e tjera të funeralit, tjetra përmban mumjen e një gruaje, e cila ishte një këngëtare në Tempullin e Karnakut. Në nëntor të vit të kaluar, eksperti japonez Hirokatsu Uatanabe kreu një skanim të imtësishëm të terrenit. Tashmë analiza e tij nga këto skanime është e plotë, dhe ajo sugjeron se mund të ketë dhoma të tjera, që ndoshta përmbajnë varre të fshehura pas mureve të varrit të mbretit të ri. Skaneri në fjalë, është tejet i vështirë për t’u përdorur mbi shkëmbin në Luginën e Mbretërve. Sipas ish-Ministrit të Shtetit për Antikiteteve, Zahi Hauas, të çarat natyrore në shkëmb mund t’i reflektojnë valët e radarit në mënyra që i bëjnë ato të duken si dhoma të ndërtuara nga njeriu. Prandaj është paraparë kryerja e një skanimi tjetër, për të konfirmuar ekzistencën e dhomave. Në shikim të parë, Tutankhamuni duket të ketë qenë një figurë e vogël në historinë e Egjiptit – pak të dhëna të shkruara i referohen atij. Por ai sundoi në një periudhë, kur vendi i tij ishte duke përjetuar një ndryshim të thellë. Faraoni Akhenaten, sundimi i të cilit përfundoi 4 vite para se të niste ai i Tutit, kishte ndryshuar fenë zyrtare të Egjiptit, që përfshinte kalimin nga adhurimi i një panteoni perëndish tek një kult monoteist kushtuar perëndisë së diellit Aten.

Ky ndryshim u hoqi pushtetin priftërinjve të pasur dhe të fuqishëm të perëndive tradicionale egjiptiane. Menjëherë pas vdekjes së Akhenaten, kombi iu rikthye adhurimit të hyjnive tradicionale. Këto kulte shpejt e rikonfirmuan pushtetin e tyre, dhe pikërisht gjatë kësaj kohe të trazuar hipi në fron Tutankhamuni. Ashtu si me çdo zbulim të madh, varri i Tutit ngre një numër pyetjesh të reja të rëndësishme në lidhje me historinë e Egjiptit, të tilla si kush qenë paraardhësit dhe pasardhësit e tij, dhe cilët personazhe të tjera mund të jenë varrosur në varrin e tij. Nëse ka dhoma të reja për t’u eksploruar, përgjigjet në lidhje me jetën e Tutit dhe të afërmve të tij, mbretërore mund të jenë më pranë se kurrë. Megjithatë, ka edhe mistere të tjera rreth Tutankamunit, të cilat ka të ngjarë të mbeten pa përgjigje.

Kush qenë prindërit e Tutit?

Rreth vitit 1341 Para Krishtit, gjatë mbretërimit Akhenaten, u lind një fëmijë mbretëror që u quajt Tutankhaten “imazhi i gjallë i perëndisë Aten”. Pak pas vdekjes së Akehnaten, ai u riemërua sipas hyjnisë tradicionale të diellit, Amun dhe emri i tij u bë i Tutankhamun. Disa studiues besojnë se nëna e djalit ishte gruaja kryesore e Akhenatenit, Nefertiti, ndërsa të tjerë janë të bindur se nëna e tij qe një nga gratë e tij të dyta, e quajtur Kija.
Por ndërkohë nuk është e sigurtë edhe që Akhenateni të ishte babai i Tutankhamunit. Ka mundësi që babai i Tutit të ishte faraoni Smenkhkara, sundimtari që hipi menjëherë në fron përpara Tutankhamunit dhe pas vdekjes së Akhenatenit. Analizat e ADN-së mbi disa mumiet që gjenden në Luginën e Mbretërve, se tregojnë se babai i Tutit është personi i varrosur në varrin KV55, dhe nëna e tij është varrosur në perëndim të luginës në varrin KV35, por identitetet e këtyre mumjeve mbeten të panjohura.

Egjiptologia Mariana Itën -Kraus, një eksperte mbi Tutankhamunin e cila ka dhënë mësim në universitetet gjermane, vë gjithashtu në dukje se ndërsa këto mumje janë qartazi të afërm të ngushtë të Tutit, është e vështirë për të sqaruar lidhjet e sakta familjare me tyre, vetëm duke përdorur AND-në. Gjetja e prindërve të Tutit, mund të ndihmojë për të sqaruar se çfarë lloj intrigash mbretërore e rrethuan ngjitjen e tij në fron në moshën 9-vjeçare. Nëse gjendet një mumje tjetër brenda varrit të Tutit, mbishkrimet në objektet e varrimit dhe identifikimi i personit, mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij misteri.

Cili sundoi para Tutankhamunit?

Nga fundi i mbretërimit të Akhenatenit në vitin 1336 Para Krishtit, ky i fundit emëroi një bashkë-sundimtare të quajtur Neferneferuaten, e cila të cilët mund të kenë qenë Nefertiti duke përdorur një emër të ndryshëm. Pas vdekjes së Akhenatenit, Neferneferuateni sundoi për 3 vite, pas së cilës dikush i quajtur Smenkhkara mori fronin. Megjithatë ky qe është një figurë e diskutueshme.

Disa dijetarë, duke përfshirë Nikolas Rivs nga Universiteti i Arizonës në SHBA, besojnë se Smenkhkara nuk ishte tjetër veçse një nga emrat e ndryshëm të Nefertitit. Mundësia tjetër është që Smenkhkara të qe një i afërm mashkull i Akhenatenit. Nëse një dhomë e vjetër varrimi u përdor për të vendosur mumjen e Tutit, çdo mumje tjetër që mund të gjendet aty do të paraprinte Tutin dhe mund t’i përgjigjet pyetjeve në lidhje me paraardhësit të tij.

Kush sundoi pas Tutit?

Tutankhamuni duket se ka vdekur papritmas në moshën 19-vjeçare dhe nuk la pas asnjë trashëgimtar. Mbishkrimet tregojnë se ai qe martuar me Ankhesenamunin, e cila ishte vajza e Nefertitit, çka do të thotë se ajo mund të ketë qenë gjysmë-motra e tij. Çifti kishte dy vajza që vdiqën menjëherë pas lindjes.

Mumjet e tyre u gjetën në varrin e Tutit. Vdekja e tij mund të ketë zhytur në një dëshpërim të thellë Ankhesenamunin.
Një letër drejtuar Mbretit të Hititëve, të cilët sunduan në terriroret ku sot shtrihet Turqia dhe Siria, i kërkonte të dërgonte një dhëndër për të ndarë fronin e Egjiptit, mund të ketë qenë e shkruar prej saj si një përpjekje e minutës së fundit për të ruajtur pushtetin. Dokumentet tregojnë se princi hitit, Zananza, u dërgua për në Egjipt, por duket se u zhduk rrugës.

Koha se kur është dërguar letra është ende objekt debatesh, thotë Itën -Kraus. Përmbajtja e çdonjërës nga dhomat e reja nuk ka gjasa të zbulojë se kush e shkroi letrën, por ajo çfarë ndodhi pas vdekjes së Tutankamunit, është një mister që shumë egjiptologë duan ta zgjidhin.

Për cilin qe ndërtuar realisht dhoma ku u varros Tuti?

Për disa studiues, duke përfshirë Rivsin, varri i Tutit duket pak i vogël për një faraon. Disa kanë supozuar se një varri i ndërtuar në formën fillestare mund të ketë jetë ripërshtatur kur Tutankhamuni vdiq papritur. Edhe pse varri përmbante një shumë objekte me vlerë, vetëm një nga katër dhomat e varrimit i kishte muret e saj të suvatuara dhe dekoruar.

Varret e tjera mbretërore të asaj periudhe, kishin dekoracione shumë më të mëdha. Pikturat në varrin e Tutit, përshkruajnë fazat e para të tranzicionit të tij shpirtëror në jetën e përtejme. Sipas Rivs, 80 përqind ose më shumë e objekteve të varrimit, tregojnë shenja të ripërshtatjes nga sundimtarët e mëparshme, duke përfshirë Akhenatenin. Rivs mendon se në vend të zgjerimit të një varri të vogël për Tutin, ndërtuesit mund të kenë rrëzuar muret e pjesë të një varri më të madh për të.

Ai mendon se pronari origjinal i varrit, mund të jetë një nga ata që mund të gjenden tek dhomat e sapozbuluara, ai person qe Nefertiti i varrosur si faraoni Smenkhkara.

Megjithatë, Hauas mendon se roli i shquar që Nefertiti luajti në kultin e Atenit, e bën të pamundur që ajo të jetë varrosur në Luginën e Mbretërve, e cila qe një zonë e shenjtë e perëndisë Amun.

Kush tjetër mund të jetë varrosur në varrin e Tutit?

Disa dijetarë i bashkohen optimizmit të Rivs se secila nga dhomat e reja të zbuluara, do të përmbajë me siguri edhe varrin e Nefertitit. Edhe pse gjetja e mumjes së saj, nën çfarëdolloj emri, do të jetë një ndihmë e madhe për studimin e Egjiptit të lashtë, ekziston një mundësi e mirë që një dhomë e sapozbuluar të përmbajë diçka tjetër.
Frenk Ruli nga Universitetit i Zyrihut në Zvicër, i cili ka kryer një studim të plotë të mumjes së Tutit, ka përpiluar një listë të personave të tjerë mbretërore që mund të gjenden aty, duke përfshirë edhe motrën më të madhe të Tutit, Meritatenin, nënën e tij të mundshme Kija dhe natyrisht Smenkhkara që mund të jetë ose jo Nefertiti.

Ndonjë nga ato mumje mund të na tregojë më shumë rreth asaj se me cilin kishte lidhje familjare Tuti. Një mundësi tjetër, që ka patur më pak vëmendje, është se ato mund të jenë vetëm dhomat e magazinimit. Nëse dhomat ekzistojnë, gjasat që mund të na thonë diçka në lidhje me Tutin janë gati të pafundme. Siç e vë në dukje Itën -Kraus “e vetmja gjë që ne dimë me siguri në lidhje me Tutankhamunin, është se ai ka vdekur”.

Si vdiq Tuti?

Një pyetje e rëndësishme, e cila nuk ka gjasa për të marrë ndonjë përgjigje bindëse nga çdo gjë që mund të gjendet në dhomat e zbuluara rishtazi, është se si vdiq Tutankhamuni. Analizat e ADN-së të kryera nga Ruli, kanë dëshmuar se mbreti i ri vuante nga malaria, dhe skanimet e hollësishme tregojnë se ai ndoshta kishte një çrregullim të rrallë të kockave, të quajtur si sëmundja Köhler, si pasojë e së cilës kishte të deformuar këmbën e majtë.
Varri i Tutit përmbante 130 shkopinj që përdoren për të qëndruar në këmbë, ndërsa disa madje tregojnë shenja se ai i kishte përdorur ato gjatë jetës së tij. Në bazë të analizave, asnjë nga këto sëmundje nuk do të kishte qenë domosdoshmërisht fatale. Ruli beson se shpjegimi më i mirë mund të jetë një thyerje e rëndë e këmbës. Gjuri i tij qe thyer aq shumë saqë kocka kishte shpuar lëkurën, dhe mund të ketë shkaktuar gjakderdhje masive.

Edhe pse një thyerje fatale e këmbës i përshtatet idesë se Tuti vdiq papritmas, Ruli s’mund të thotë me siguri mjekësore, nëse thyerja ndodhi gjatë kohës që Tutankhmuni qe ende i gjallë. Ka mundësi që gjuri i tij të jetë thyer pas vdekjes së tij. Kuptimi i shëndetit të Tutankhamunit, ndikon tek mënyra sesi e shohin atë studiuesit, thotë Ruli.

A qe ai një faraon i forte, dinamik, që udhëhoqi ushtritë në luftë, apo një figurë e dobët dhe e manipuluueshme nga njerëz ambiciozë e më të mëdhënj në moshë në oborrin e tij? Ruli shpreson të jetë në gjendje për të bërë një ekzaminim të plotë, por joinvaziv të trupit të Tutit, për të mbledhur më shumë të dhëna mbi shëndetin e tij dhe shkakun e vdekjes. Bota.al