Loading...

Kuvendi i Shqipërisë me 101 vota pro dhe 6 kundër votoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat fillimisht i anuloi dhe më tej shpalli një datë të dytë për to, 13 tetorin. Komisioni afat 3 mujor, 5 anëtarë nga mazhoranca dhe 4 nga opozita.

TIRANE – Kuvendi i Shqipërisë me 101 vota pro dhe 6 kundër votoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat fillimisht i anuloi dhe më tej shpalli një datë të dytë për to, 13 tetorin. Ndërkohë, raporti i komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës mori 102 vota pro, 7 deputetë nga opozita e re votuan kundër, ndërsa pati edhe dy abstenime.

Duke e vlerësuar këtë akt në shkelje të rëndë të kushtetutës, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tha se Presidenti e ka mbushur kupën dhe duhet të ishte shkarkuar me kohë. Megjithatë tha Rama, kjo do të ndodhë vetëm pasi komisioni hetimor të bëjë punën e tij.

Referuar pjesëmarrjes në votimet e 30 qershorit, 22.9%, kreu i qeverisë tha se se mungesa e besimit të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe shkak i ndërhyrjes së Metës në proces me anë të dekretit të tij, por edhe sulmeve të dhunshme të opozitës deri pak para ditës së zgjedhjeve. Rama u shpreh se opozita me rrugën që ka nisur edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021-shit nuk ka shanse të fitojë.

Shefi i mazhorancës tha se Meta është një armi i hershëm i mazhorancës, por tashmë është kthyer edhe në një armik të Kushtetutës dhe parlamentit. Frika e Presidentit Meta, sipas Ramës, është reforma në drejtësi duke e quajtur “vetë shëmbëlltyrën e tërbimit të të tremburve nga drejtësia” Ai e etiketoi Presidentit si një njeri të çoroditur hakërrues dhe qesharak dhe që duhet të hetohet nga Parlamenti.

Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Në krye të komisionit hetimor është kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 18:58
Shkarkimi i Metës/ 3 deputetët e rëndësishëm që munguan në Kuvend

Në seancën parlamentare ku u votua ngritja e Komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të 30 qershorit, munguan tre deputetë të opozitës. Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni nga i të pavarurve. Rudina Hajdari dhe kolegu i saj Myslim Murrizi e ndoqën seancën plenare nga kafeneja e Kvuendit duke mos marrë pjesë në votim. Rudina Hajdari është shprehur edhe më herët se është pro hetimit të Presidentit Ilir Meta, por se këtë duhet ta bëjë Gjykata Kushtetuese dhe se një komision hetimor në këtë situatë politike do ta acaronte edhe më tej situatën.

Ora 18:49
Balla: Hera e parë në 28 vite që Kuvendi ngre një komision hetimor për kreun e shtetit

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se është hera e parë në 28 vite Kuvend që ngrihet një komision për hetimin e presidentit të Republikës.

“Nuk ka shumë për të diskutuar në këtë seancë. Si një prej 55 firmëtarëve të kësaj kërkese e cila në 28 vite të këtij Kuvendi është hera e parë që ngrihet një komision hetimor për të hetuar veprimet e kreu të shtetit. Do doja t’i kërkoja të gjithë deputetëve ta ngrejnë këtë komision me konsesus të plotë dhe me një transparencë për publikun që të përmbushen pritshmëritë e kërkuesve. Dua t’iu kërkoj të votoni pro ngritjes së këtij komisioni”, tha Balla.

Ora 18:48
Kujtim Gjuzi për Metën: Duhet shkarkuar se ka përgjegjësi për thesarin e Krrabës, bashkë me Gadafin hutuan shqiptarët

Deputeti i opozitës së re Kujtim Gjuzi deklaroi se Presidenti Ilir Meta duhet të hetohet për thesarin e Krrabës përveç dy datave të zgjedhjeve që sollën konfuzion te shqiptarët.

“Ilir Meta pse duhet shkarkuar. Ai ka përgjegjësi për thesarin e Krrabës, për grabitjen e mandateve në 2001 me Dushkun e famshëm. Ka pas ndikim në Nikël deri sa erdhën kë Kuvend deputetë të tjerë të opozitës. Ka çeduar me dy data zgjedhjesh. 85% e shqiptarëve nuk kanë ditur çfarë të bëjnë se çfarë thotë presidenti dhe çfarë thotë gjeneral Gadafi(kryeministri). Ju duhet të thoni na falni se zgjodhëm Ilir Metën”, tha Gjuzi.

Ora 18:47
3 muaj hetim për Ilir Metën /101 vota për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin

Me 101 vota pro, 6 kundër, 3 abstenim dhe 1 deputet që nuk ka votuar, Kuvendi i Shqipërisë, me votim elektronik, vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Komisioni hetimor mbi shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të zgjasë tre muaj.

Ky hetim ka për qëllim njohjen si dhe verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencave nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në përputhje me parimet kushtetuese si parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale, si dhe nxjerrjen e përgjegjësisë konkrete institucionale.

Loading...
Loading...
Loading...