Loading...

Një shpërthim i fuqishëm i një bombole me hidrogjen që shërben për përpunimin e floririt, ndodhi në një argjendari në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku mbetën të plagosur katër persona. Nga ky shperthim u plagosën, burrë e grua, Sokol dhe Alma Pirra, pronarë të argjendarisë, një vajzë 18-vjeçare, Eneda Nura, punonjëse në argjendari, dhe një djalë, Ardanoel Serani, kalimtar i rastësishëm, 23 vjeç.

Nga shpërthimi u shënuan dëme të shumta materiale jo vetëm në argjendari, por edhe në një dyqan me tullumbace për organizim eventesh që ndodhet pranë argjendarisë. Shqiptarja.com mëson përmes burimeve nga policia, se ka shpërthyer një nga dy bombolat me hidrogjen që kishte në argjendari.

Shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm. Janë thyer xhamat e argjendarisë, ndërsa në rrugë janë shpërndarë edhe copëza betoni dhe objektesh pas shpërthimit. Janë dëmtuar edhe disa biçikleta me GPS që përdoren nga të rinjtë në Tiranë.

Forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në rrugën “Vaso Pasha”, ndërsa vendin e ngjarjes ishte edhe Rebani Jaupi, drejtori i Policisë së Tiranës dhe nëndrejtori Arsen Sinomati.

‘Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bën të ditur se sot në datën 15.07.2019 në Shërbimin e Djegie-Plastikës kanë ardhur me urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore me djegie në të gjithë trupin, pacientët me inicialet S. P., 52-vjeç dhe A. P., 43-vjeçe.

Gjendja e tyre shëndetësore sipas mjekëve të shërbimit të Djegie Plastikës, paraqitet e rënduar si pasojë e djegieve të rënda në të gjithë sipërfaqen e trupit.

Stafi mjekësor i QSUT është në gatishmëri të plotë për tu kujdesur për këta pacientë, duke zbatuar të gjitha protokollet mjekësore dhe duke i mbajtur në monitorim të vazhdueshëm në reanianimacionin e shërbimit të Djegie Plastikës’.

Ndërkohë dy të plagosurit e tjerë, Ardaniel Serjani 23 vjeç dhe Eneda Nura 18-vjeç, kalimtarë, janë te spitali i Traumës, ku kane marre ndihmen e pare.

Loading...
Loading...
Loading...