Loading...

Ditën e djeshme qeveria ka miratuar vendimin “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot vendimin e Këshillit të Ministrave dhe mënyrën sesi do të paguhen këstet mujore për kredi të tilla. “Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për banesa me kosto të ulët, bazuar në ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”, është e barabartë me diferencën që rezulton ndërmjet interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për t’i përballuar, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social””,-theksohet në vendim.

Masa e subvencionit
Në rastet kur këstet mujore me interes të subvencionuar rezultojnë më të larta se aftësia e familjes për t’i përballuar ato, familja kalon për trajtim në një program tjetër të përballueshëm për të. Llogaritja e masës së subvencionit të interesave të kredisë bëhet në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e kredisë, ndërmjet individit/ familjes përfituese dhe institucionit financiar, mbështetur në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet institucionit financiar dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin ose njësisë së vetëqeverisjes vendore. Përjashtim bëjnë vetëm familjet qiramarrëse që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat përfitojnë subvencion 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%.

Procedura
Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët me kredi fillon me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet.
“Përzgjedhja e institucionit financiar, që do të kreditojë familjet, bëhet me procedurë konkurrimi: a) Nëpërmjet një oferte publike dhe transparente ftohen të gjitha institucionet financiare, që kryejnë shërbime për dhënien e kredive në territorin e Republikës së Shqipërisë; b) Oferta publike shoqërohet edhe me kriteret për vlerësimin e ofertës fituese; c) Vlerësimi i ofertave duhet të marrë parasysh kostot më të ulëta për buxhetin dhe kostot më të përballueshme për familjet”,-nënvizohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Përzgjedhja e institucionit financiar me ofertën fituese bëhet nga një komision vlerësimi prej 5 anëtarësh, që ngrihet me urdhër të titullarit të institucionit që financon programin.

Sistemi i pikëzimit
Kur programi financohet nga buxheti i shtetit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda kuotave të përcaktuara paraprakisht nga ministria përgjegjëse për strehimin (numrit të familjeve që përfitojnë), miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit të miratuar prej tyre dhe që plotësojnë kushtet. Kështu aplikantët duhet të kenë të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe nuk përballojnë dot pagesat e kredisë për blerjen e një banese me vlerë jo më të madhe se mesatarja e vlerave të tregut në atë njësi dhe me sipërfaqe jo më të madhe se normat e strehimit. Ose kandidatët duhet të mos disponojnë banesë në pronësi ose disponojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, apo janë zhvendosur nga banesat. Kur programi financohet nga buxheti i njësisë së vetëqeverisjes vendore, zbatohen të njëjtat kritere për miratimin e listës së familjeve, sipas kuotave që përcaktohen nga vetë ato. Për verifikimin e kushteve të mësipërme, strukturat përgjegjëse për strehimin, në bashkëpunim me administratorët shoqërorë, krahas verifikimit të dokumentacionit përkatës mund të kryejnë në vendbanimin e familjes verifikime që lidhen me gjendjen e banesës dhe me sipërfaqen e saj.

Verifikimi
Çdo individ/familje, që pretendon se nuk figuron në lista, ka të drejtën të paraqitet për verifikim. Pasi shqyrtohet dhe plotësohet dokumentacioni, individi/familja përfshihet në listë dhe bëhet njoftimi publik i listës së re të aplikuesve, brenda 10 ditëve. Por, miratimi i listës së familjeve që plotësojnë kushtet për subvencionimin e interesave të kredisë, nuk e bën familjen automatikisht përfituese. Institucioni ndjek të gjitha procedurat e veta për përfitimin e kredisë dhe verifikon aftësinë përballuese të individit/familjes, mbështetur në të ardhurat që kanë, me qëllim që përfituesi të zgjedhë në treg për blerje me kredi një banesë që i përshtatet kushteve specifike të tij. Institucioni financiar bën vlerësimin për banesën e zgjedhur dhe aftësinë për ta përballuar shlyerjen e kësteve të kredisë nga përfituesi, mbështetur në programin e subvencionimit të interesave të kredisë. Kur familja paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë brenda 6 muajve nga data e njoftimit duke kërkuar shtyrje të afatit, emri i subjektit vazhdon të qëndrojë në listë pritjeje edhe për 6 muaj të tjerë.

Detyrimet
Masa e ndihmës për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti planifikohet në buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm të institucionit që financon programin, bazuar në informacionin që dërgon institucioni financiar mbi, ndër të tjera, numrin e përfituesve dhe sasinë e subvencionimit të shpenzuar në vitet paraardhëse dhe nevojat e parashikuara për vitin pasardhës. Institucioni, që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet, konstatohet se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; apo ka bërë falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme. Familja, që ka përfituar banesë me kosto të ulët, nuk mund t’i kalojë të drejtat që ajo ka mbi këtë banesë te një individ tjetër ose ta lëshojë atë me qira gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë.

Marrëveshja dhe dokumentet

a) Kur subvencionimi i interesave të kredisë kryhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, marrëveshja me institucionin financiar nënshkruhet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore konkrete, pas një vendimmarrjeje nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Masa e subvencionit të interesave të kredisë miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore;
b) Kur subvencionimi i interesave të kredisë do të kryhet nga buxheti i shtetit, marrëveshja lidhet ndërmjet ministrit përgjegjës për strehimin, ministrit përgjegjës për financat dhe institucionit financiar.
9. Marrëveshja parashikon, ndër të tjera,:
a) kushtet e kreditimit, ku përfshihen:
i. interesi i kredisë, i cili nuk mund të jetë më i lartë nga ai me të cilin banka ka konkurruar;
II. mënyra e llogaritjes së interesit të kredisë;
III. afati maksimal i shlyerjes së kredisë;
IV. raporti i shumës së kredisë me vlerën e banesës;
V. kostot administrative;
VI. çdo informacion që çmohet i nevojshëm nga palët për t’u reflektuar në marrëveshje.
b) mënyrën dhe frekuencën e raportimit, që institucioni financiar i paraqet institucionit që financon programin;
c) afatet kohore të financimit të subvencionimit të interesave të kredisë nga njësia e vetëqeversijes vendore ose nga buxheti, në favor të institucionit financiar;
ç) formulën e llogaritjes së nivelit minimal të të ardhurave të familjeve.
Dokumentacioni
a) vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit;
b) vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit;
c) dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë;
ç) certifikatën e gjendjes familjare;
d) adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.

Loading...
Loading...
Loading...