Loading...

 

Policia private ka larguar nga korridoret e Juridikut bangat e nxjerra nga grupi i studentëve protestues të cilët kishin bllokuar dyert me to. Ndërhyrja e efektivëve është shoqëruar me tensione. Një grup studentësh kanë kaluar natën nëpër auditoret e Fakultetit të Drejtësisë në kryeqytet. Momente tensioni janë shënuar edhe në mëngjes kur në Fakultet mbërriti një grup tjetër studentësh të cilët u penguan nga policia private e ndihmuar edhe nga ajo e rendit.

Është tensionuar situata tek Fakulteti i Drejtësisë gjatë orëve të vona të natës. Policia private që ruan ambientet e Fakultetit ka ndërhyrë duke hequr bankat e vendosura nga grupi i studentëve gjatë ditës për të bllokuar korridoret me synim për të mos lejuar studentët e tjerë që të hynin në auditore për të bërë mësim.

Ndërhyrja e policisë kjo ka sjellë tensionimin e situatës dhe përplasjen e efektivëve privatë me studentët. Këta të fundit kundërshtuan veprimin e policisë dhe vendosën të qëndrojnë gjithë natën në auditore. Ata u shprehën se kanë zgjedhur bojkotin dhe ngujimin në fakultete si formë proteste për realizimin e kërkesave të tyre pasi hoqën dorë nga protestat përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Pasi kanë larguar bangat nga korridoret dhe për rrjedhojë kanë hapur dyert, policia private është larguar nga ambientet e brendshme të Fakultetit Juridik dhe studentët kanë vazhduar të qëndrojnë nëpër auditore, duke kaluar natën aty. Prej paradites së djeshme një grup studentësh të Fakultetit Juridik dhe Ekonomik u ngujuan në sallat e leksioneve dhe bllokuan dyert me tavolina dhe karrige.

Efektivë të policisë private të cilët ruajnë ambientet e Fakultetit Ekonomik dhe ata të rendit, kanë bllokuar hyrjen e studentëve për në Fakultet të cilët duan të ngujohen në ambientete e brendshme. Gjatë orëve të natës policia private hyri në auditoret ku ishin ngujuar studentët dhe larguan bangat dhe tavolinat me të cilat ata kishin bllokuar dyert. Ndërsa një pjesë e studentëve kaluan natën në auditore.

Loading...
Loading...
loading...