Loading...

Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa arreston në flagrancë 1 punonjës policie dhe 4 shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar 19 shtetas të huaj për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Pas një hetimi me metoda speciale, SHÇBA finalizoi goditjen ndaj këtij grupi, në hyrje të qytetit të Pogradecit rreth orës 23:50, të datës 9 maj 2019. Shërbimet ndaluan 19 shtetas të huaj, me shtetësi kurdë dhe sirianë, të cilët po transportoheshin drejt Tiranës me mjete që drejtoheshin nga shtetasit shqiptarë E.A. dhe T.H.

Shtetasit e huaj kanë hyrë nga kufiri i gjelbër në zonën e Devollit dhe në afërsi të fshatit Trestenik janë marrë me makina nga shtetasit E.A. dhe T.H. Punonjësi i Policisë, J.Z. (trup shërbimi në Komisariatin e Elbasanit) dyshohet se kishte rolin e kontrolluesit të rrugës. Shtetasit M.A. dhe K.M. ishin shoqërues.

Në këtë aksion të SHÇBA-së u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 automjete, aparate celularë dhe 120.000 lekë. Mbi shtetasit e arrestuar është ngritur akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu SHÇBA po vijon ndjekjen penale në gjendje të lirë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për Shefin e Stacionit dhe 2 punonjës të Patrullës të Kontrollit të Kufirit të gjelbër, për mos-përmbushje të detyrës.

Loading...
Loading...
Loading...