Loading...

Një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, detyron të gjithë të dënuarit që të deklarojnë numrat e telefonave që kontaktojnë nga burgu, por edhe sjell një kufizim të tyre.

Vendimi është marrë me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, që në jo pak raste janë realizuar me direktiva nga të burgosur, nëpërmjet kontakteve të tyre jashtë qelive. Urdhri i kreut të Burgjeve mban datën 13 maj 2019 dhe është shpërndarë tashmë për ekzekutim në të gjitha IEVP-të.

“Me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të thirrjeve telefonike, urdhërohen të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të kryejnë regjistrimin e numrave të telefonit fiks, celularë dhe ndërkombëtarë të familjarëve apo të të tretëve (të afërm ose miq), sipas deklarimit me shkrim të secilit të burgosur”, thuhet në urdhrin e Ismailit. Sipas tij, të dënuarit e sigurisë së lartë duhet të deklarojnë deri në 10 numra telefoni, ndërsa të dënuarit e sigurisë së zakonshme, të paraburgosurit, gratë apo të miturit, deri në 15 numra. Për të bërë deklarimin e kontakteve, të dënuarve e të paraburgosurve u duhet shpërndarë një formular i posaçëm, ku do të plotësohen të dhënat.

URDHRI

“Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të regjistrojnë numrat e telefonave të familjarëve, të afërmve apo të tretëve të secilit të burgosur. Të dënuarit e sigurisë së zakonshme, të paraburgosurit, gratë dhe minorenët të deklarojnë deri në 15 numra telefoni. Të dënuarit e sigurisë së lartë të deklarojnë deri në 10 numra telefoni. Deklarimi i numrave nga të dënuarit të bëhet sipas formularit përkatës.

Në rastet kur një i dënuar kërkon të ndryshojë një nga numrat e telefonit, duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë Drejtorisë së Burgut dhe të shpjegojë arsyen. Institucioni ka 5 ditë afat që të mundësojë ndryshimin e numrit, sipas kërkesës së bërë nga i dënuari. Afati i përfundimit të procesit të përcaktimit të numrave është data 27 maj 2019”, thuhet në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.

Kjo nismë është marrë për të shmangur pasojat kriminale, që në jo pak raste kanë ndodhur jashtë burgjeve, por me “urdhër” nga persona që vuajnë dënimin. Me një telefonatë nga burgu ka rezultuar të jenë realizuar vrasje, trafiqe droge, por edhe ngjarje të tjera kriminale nga personazhe të njohura të botës së krimit, që vuajnë dënimet në burgje të ndryshme në vend.

TELEFONAT CELULARE

Urdhri i kreut të Burgjeve konsiston vetëm në telefonatat që kryhen nga telefonat fiks, që ndodhen nëpër burgje. Por, siç ka rezultuar në jo pak raste, të dënuarit në forma të ndryshme arrijnë të kenë edhe celularë brenda qelive, madje përdorin edhe rrjetet sociale. Herë pas here kryhen kontrolle për gjetjen e celularëve, por në çdo rast të dënuarit e gjejnë një mundësi për të pasur telefon brenda qelive.Panorama

Loading...
loading...
Loading...