Loading...

 

Nga Luçiano Boçi

 

Zakonshëm sa herë vjen 7 Marsi plas gara e urimeve.
Kush e kush bën më emocionuesin, më të bukurin, më domethënësin.
Është një lloj rituali ndjellës i pashmangshëm, brenda të cilit ndjehesh fajtor nëse s’e bën, por dhe me faj kur e bën. Sepse në rreshtat tij mbetet gjithmonë dicka e pathënë.Jo se aty nuk ka nota sinqeriteti, ku spikasin nxënësit me dashurinë e tyre. Përkundrazi.
Madje, kalohet shpesh dhe në romantizëm shfrenues.
Tek e fundit kjo është dita “e pushtetit” të mësuesit, dita e ngazëllimit të qenurit mësues. Dhe mësuesia nuk është një punë sikurse mijëra punë të tjera. Ajo është para së gjithash një mision mes mijëra vështirësish.
Kjo është dhe një ditë, kur mësuesi me mencurinë e vet, jo thjesht “gjuan me pambuk“ ata që e përcmojnë, që e telendisin, që e godasin, por dhe një ditë revolte e bukur, revoltë e shprehur me festë.
Prandaj dhe urimet e 7 marsit të mësuesve, të ish mësuesve, të pedagogëve, të nxënësve e studentëve kanë gjithmonë brenda tyre dhe gishtin drejtuar nga fajtori.
Ato janë urimet më fajësuese që ekzistojnë në fakt dhe për këtë arsye nuk ngjasojnë me askënd dhe as me ato p.sh të vitit të ri ku fajtori i presupozuar për fatin e ecur keq, mbetet në vitin e vjetër.
Urimi për 7 marsin, është diferenca fajësuese midis asaj se cka duhet të ishte mësuesi dhe asaj cfarë ai është sot.
Është diferenca si perceptohet mësuesi nga shoqëria dhe si trajtohet ai nga politika e ditës, apo nga rrethanat e ditës.
Akoma dhe më akuzuese, më saktë vetëakuzuese bëhen urimet kur dalin nga goja ose penda e atyre mbi të cilët drejtohet sot gishti i fajit, nga qeveritarët.
Ndonëse me nota spektakolare dhe me gjetje publicitare urimet e qeverisë gjithmonë kanë një lloj shplarje, hipokrizie me doza të lartë dhe shprehin njëlloj sëkëlldie permanente të atyre që i bëjnë.
Nuk dua t’i vë as emra ministrash e as emra kryeministri, por gjetja më e mirë do të ishte që këta të paktën këtë vit të mos uronin fare, se kështu ndoshta ajo pesha e fajit që transmeton urimi do t’i ishte më e lehtë për ta.
Nuk u takon të urojnë sepse mësuesit të cilëve ato do i drejtohen sot për punë të mbarë, nuk e kanë punë as të mbarë e as të sigurt.
Nuk e kanë, sepse për më shumë se gjashtë muajsh mësuesit tanë punojnë “në të zezë“, pavarësisht se punëdhënësi (ministria e arsimit) u paguan sigurimet shoqërore dhe u jep pagën.
Kjo ndodh se ata nuk kanë një kontratë pune. Kontratë që e detyron kodi i punës dhe kushtetuta në të cilën nëshkruhen qartë të drejtat e mbrojtura dhe detyrimet.
Duhet të mos urojnë, sepse atë figurën fisnike të dikurshme e kanë përdhosur aq shumë, sa e kanë shndërruar në një leckë politike që e hedhin, e mbështjellin, e lagin, e thjanë sa herë që u ndryshon klima e buzëqeshjes politike.
Nuk e meritojnë të drejtën e urimit, sepse atë përkujdesin që mësuesit e meritojnë, e kanë shndërruar në një harbutëri testesh pa fund, letrash pa fund, oraresh kot, tekstesh pa lidhje, interpretime absurde diplomash, trajnimesh pa vlerë por me lekë dhe në një sorollatje kualifikuese pa fillim dhe fund.
Por marrëzia e pushtetit është aq e madhe sa dhe ditën magjike “të pushtetit“ të mësuesit, kërkon medoemos ta shndërrojë në ditën e pushtetit të vet mbi “pushtetin” e mësuesit, mbi 7 marsin.
Nëpërmjet atyre urimeve të sforcuara, me fjalë politese e fjalë me zemra, me foto, pa foto, me batuta e me shakara, me gjestikulacione e pantonima, por asnjëherë të vërteta e të ciltra.
E di që sot mund t’i tregojnë mësuesve “sevdanë“ e rradhës, pa pasur asnjëherë seriozisht dashurinë për to.
E di që sot mund ti përmendin për të mijtën herë dhe pagën “e rritur“, por mjerane, me e pa taksën progresive, pa pasur moralin t’i pranojnë atij se i kanë hequr shpërblimin e fundvitti dhe pagën e trembëdhjetë, sikurse i detyrojnë të pagujanë cdo gjë vetë, për kuali6kime e trajnime.
Do i thonë që jeni shumë mirë, por nuk e dalloni dot dhe që do bëheni akoma më mirë kur të jeni më keq.
Mund t’i japin disave dhe ndonjë shpërblim për shërbim, sikurse disave të tjerve mund “t’i qesin dicka sa për zijafet“ në tavolinë, por asnjëherë nuk do t’i japin vendin që i takon mësuesit në shoqëri.
Në fund fare, do t’i përcjellin mësuesit me idenë që “ia hodhën dhe këtë vit”, duke fshehur nën buzëqeshje të sforcuara të vërtetën tronditëse që urimet e ditës së sotme janë njëkohësisht urime që fajësojnë, që revoltohen dhe që kërkojnë që misionarët e dijes të vendosen në piedestalin që u takon.
Gëzuar 7 Marsin!

Loading...
loading...