Loading...
Loading...

 

Konstantinos Kacifas, 35-vjeçari i minoritetit grek që mbeti i vrarë pas sulmit mbi policinë shqiptare më 28 tetor do përcillet sot në banesën e fundit. Ditën e djeshme trupi i të ndjerit që ndodhej në Tiranë ku iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore ka mbërritur në vendin e tij të lindjes, Bularat. I veshur me rroba ushtarake dhe i mbuluar me flamurin grek, viktima është pritur nga qindra banorë të zonës e familjarë. Varrimi është parashikuar të mbahet sot në orën 13:00.

GREQIA THIRRJE QYTETARËVE GREKË NË BULARAT

Ora 11:10- Pak orë para funeralit të 35-vjeçarit Konstandinos Kacifas Greqia iu ka bërë një apel qytetarëve të saj. Sipas CNN-it grek Ministria e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes së Qytetarëve u ka bërë thirrje shtetasve grekëve që kanë shkuar në fshatin Bularat për të marrë pjesë në varrimin e ekstremistit grek Konstantinos Kacifas që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt.
“Shtetasit grekë që shkojnë në Bularat për të nderuar të vdekurin janë të lutur që të vetëpërmbahen dhe të tregojnë respekt për familjen dhe ceremoninë”.

EURODEPUTETJA QIPRIOTE NË BULARAT

Ora 11:00- Eurodeputetja qipriote Eleni Theocharous ka shkuar sot në Bularat ku do të vizitojë familjen e minoritarit grek Konstandinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë më 28 tetor pas një shkëmbimi zjarri me forcat speciale RENA.
Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar për ‘BalkanWeb’ një foto të eurodeputetes, e cila do të marrë sot pjesë në ceremoninë mortore të 35-vjeçarit.

Kujtojmë se tre ditë më parë eurodeputetja qipriote tha se do ta çonte çështjen e Kacifas në Parlamentin Europian.
“E konsideroj detyrim moral të ngre cështjen Kacifas si dhe te shkeljes së të drejtave të minoritarëve të zonës ne përgjithësi. Mund të arrestohej, por u vra. Ai u ekzekutua nga policia shqiptare, ndërkohë që nëse donte kishte mundësi dhe aftësi. Kam detyrim moral te hap çështjen e shkeljes së te drejtave dhe vrasjes së Kacifa në PE”, u shpreh ajo ditë më parë.

THIRRJE NË BULARAT: KONSTANDIN JE HEROI YNË

Ora 10:50- Përkrahës të familjes Kacifa dhe qindra qytetarë grekë kanë mbërritur në Bularat për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Konstandinos Kacifas, i vrarë pas sulmit mbi policinë më 28 tetor.

“Konstandin je heroi ynë. Kacifa jeton, ti na drejton”, kanë qenë thirrjet e qytetarëve grekë ndërsa mbërritën në Bularat me flamuj grekë në duar dhe flamurin e patriarkanës.
Familjarët e viktimës nuk kanë lejuar kamerën e News24 të qëndrojë para shtëpisë së tyre. Sipas tyre media shqiptare ka disinformuar publikun. Varrimi është parashikuar të mbahet në orën 13:00, ndërsa pritet pjesëmarrje e madhe nga Greqia.

POLICIA KTHEN 8 GREKË NË KUFI

Ora 10:20- Me sa duket kontrollet e policisë në Kakavijë kanë dhënë rezultatet e para. Burime nga policia pohuan për gazetaren Dorjana bezat se në kufirin shqiptar janë kthyer mbrapsht 8 persona. Mësohet 8 shtetasit që janë kthyer si të papërshtatshëm për të marrë pjesë në varrimin e Kacifas mbanin bluza të Vorioepirit. Nuk dihen emrat e personave që janë kthyer.

MASAT E POLICISË

Ora 8:00- Policia ka ushtruar kontrolle të rrepta në kufij për personat që do të marrin pjesë në ceremoninë mortore. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Policia shqiptare në bashkëpunim me atë greke kanë përpiluar një listë për të shmangur personat me prirje ekstremiste të marrin pjesë. Kontrollet janë kryer në të 2 doganat. Në Bularat policia nuk do të jetë e pranishme me uniformë për të shmangur ndonjë provokim të mundshëm. Nuk ka informacion për ndonjë skenar të mundshëm.

MBËRRIJNË NË KAKAVIJË SHTETASIT E PARË GREKË

Ora 05:30- Kanë mbërritur në Kakavijë shtetasit e parë grekë që do të marrin pjesë në varrimin e minoritarit grek Kostandinos Kacifas. Autobusi i parë nga Athina mbërriti rreth orës 5.30.  Gazetarja Brikena Metaj raportoi për ‘BalkanWeb’ se  në pikën kufitare të Kakavijës pasur procedura të shtuara sigurie, me forca të shumta policore, skanim i autobusit dhe kontroll fizik i pasagjerëve.

“Kemi ardhur nga Athina për të qenë në varrim. Nuk e kemi familje heroin por ishte shumë e rëndësishme për ne ta nderojmë.Në kufi nuk ishte e vështirë të kalonim”, shprehet njëri prej pasagjerëve të autobusit grek.

Ndërkohë një tjetër thotë: “Unë jam nga Athina, sapo mbërritëm për ceremoninë e varrimit. Jam këtu për të nderuar heroin tim, heroin tonë. Shumë të tjerë janë pas nesh, nuk e di saktë numrin e atyre që po vijnë, por janë shumë”.

Në ceremoninë e varrimit që do të paraprihet nga mesha në kishën e Shën Athanasit, pritet të marrin pjesë edhe qytetarë të tjerë nga Dropulli dhe bashkia tjetër minoritare e Finiqit. Në të dyja anët e kufirit ka numër të dyfishuar sportelesh. masat e sigurisë përfshijnë përveç kontrolleve edhe skanimin e të gjithë autobusëve dhe mjeteve që po hyjnë në Shqipëri për ceremoninë mortore.

Autobusat jane nisur nga qyteti i Selanikut , Volosit , Athinës , Patras dhe Janinës.  Më shumë se 2,000 njerëz pritet të jenë në funeralin e 35-vjeçarit, Kacifas. Ky i fundit mbeti i vrarë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës pas një shkëmbimi zjarri me forcat speciale RENEA.

 

Loading...