Loading...

Vritet terroristi më i kërkuar në botë. Udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdad është ekzekutuar nga amerikanët në provincën Idlib, në veriperëndim të Sirisë të shtunën në mbrëmje. Kjo zonë konsiderohet si një prej rajoneve të fundit të kontrolluara nga islamistët. Lajmi e konfirmoi Presidenti i SHBA-së në një konferencë për mediat nga Shtëpia e Bardhë ku tha se vdiq si një qen duke qarë.

Tashmë është zyrtare, udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdad është ekzekutuar. Presidenti Trump konfirmoi vdekjen e liderit të ISIS, Abu Bakr al-Bagdadi gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Abu Bakr al-Bagdad kreu vetëvrasje duke shpërthyer vetë jelekun-bombë që mbante veshur për të mos rënë në duart e komandove të posaçëm amerikanë, ndërsa u vranë edhe tre fëmijët e tij dhe dy gra, gjatë bastisjes së kryer nga ushtria amerikane në veri-perëndim të Sirisë të shtunën.

“Mbrëmë Shtetet e Bashkuara vendosën drejtësinë. Eleminuam terroristin numër një në botë. Abu Bakr al-Baghdadi është i vdekur” tha Trump. “Ai ishte themeluesi dhe udhëheqësi i ISIS. Organizata terroriste më e pamëshirshme dhe e dhunshme në botë. Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar shumë vjet për Bagdadin.

Kapja ose vrasja e Bagdadit ka qenë përparësia kryesore e sigurisë kombëtare të administratës time” tha ai. “Ai vdiq si qen, ai vdiq si një frikacak. Udhëheqësi i Shtetit Islamik ishte fshehur në një tunel nga u përpoq të ikte duke qarë dhe duke bërtitur gjatë gjithë rrugës” tha Trump për liderin e ISIS, ndërsa mediat arabe kanë publikuar pamjet e operacionit të vrasjes së Abu Bakr al-Bagdadit.

“Asnjë personel amerikan nuk u dëmtua në operacion” por një numër i madh i luftëtarëve të Bagdadit u vranë, theksoi Presidenti. Trump tha se ishte një “mision shumë i rrezikshëm” dhe falënderoi Rusinë, Turqinë, Sirinë, Irakun e kurdët për ndihmën në mision. Ai tha se kurdët i dhanë informacione të dobishme SHBA. Vdekja e Bagdadit është një tjetër goditje e fortë për ISIS-in.

Vendi ku u zhvillua operacioni
Al – Bagdadi (emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim Awwad Ibrahim al-Badri) është bërë i njohur në botë pas krijimit të një të ashtuquajturi kalifat në territoret e Sirisë dhe Irakut, në vitin 2014. Ky territor është quajtur edhe si “Shteti Islamik”, por më pas forcat e ISIS-it kanë humbur kontrollin pothuajse në të gjithë territorin.

Mesazhi i tij i fundit audio ishte në shtator, në të cilin ai premtoi se lufta kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj është shumë larg fundit. Gjatë regjistrimit audio, më shumë se 30-minuta ai thoshte se Shtetet e Bashkuara “tani po mbyten në kënetat” e Irakut dhe Afganistanit, duke shtuar se Uashingtoni është i pafuqishëm për të ndihmuar aleatët e tij në rajon dhe përreth.

Që nga viti 2016, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim deri në 25 milion dollarë për informacione që ndihmojnë për të sjellë Bagdadin para drejtësisë. Vetëm një person tjetër, udhëheqësi i al-Kaidës Ayman al-Zawahiri, ka një shpërblim kaq të lartë.

Loading...
Loading...
Loading...