Gian Piero Ventura i zhgënjeu të gjithë në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Suedinë, teksa nuk njoftoi dorëheqjen e shumëpritur. Tekniku italian tha se fillimisht duhet të bisedojë me presidentin dhe federatën dhe vetëm më pas do të arrijë në një konkluzion.

“Më falni për vonesën, por doja të përshëndesja lojtarët një nga një dhe t’i falënderoja për atë që dhanë në fushën e lojës. Dua t’i kërkoj ndjesë italianëve për rezultatin, por jo për impenjimin në fushën e lojës. Më vjen keq për rezultatin, që ishte dramatik nga ana sportive, por unë kam shumë vite në futboll dhe e kuptoj mirë këtë situatë. Nuk mund të dorëhiqem sepse nuk kam folur ende me presidentin. Duhet të bisedojmë dhe të vlerësojmë shumë gjëra, ndërsa më pas do të vendosim”, tha trajneri i Italisë.

Ventura nuk ngurroi të falënderojë disa prej senatorëve, që sot luajtën ndeshjen e fundit me Italinë, ndërsa u shpreh i hapur për të drejtuar projektin e ringritjes së kombëtares.

“E di që ishte ndeshja e fundit për De Rossin, Buffonin, Barzaglin dhe Chiellinon. Keqardhjen dhe falënderimin tim ua kam shprehur edhe atyre personalisht. Të qëndroj dhe të rindërtoj grupin? Edhe mund ta marr në konsideratë, por më parë duhet biseduar me federatën”, tha Ventura.

loading...