Loading...

Festim Lato, i vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ dyshohet se është vrarë në Holandë. Ngjarja është e mbuluar me mister, pasi nuk ka asnjë informacion zyrtar.

Festim Lato, i vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ dyshohet se është vrarë në Holandë. Ngjarja është e mbuluar me mister, pasi nuk ka asnjë informacion zyrtar, ndërsa lajmi mbi pretendimin se është ekzekutuar bazohet vetëm mbi dëshmitë e familjes së tij në Vlorë dhe të miqve.

Përballë misterit, Shqiptarja.com kontaktoi me familjen e Latos që ndodhet në Vlorë. Vëllai, Xhemil Lato u shpreh se mbrëmjen e djeshme e kishin kontaktuar autoritetet holandeze për t’i dhënë familjes lajmin e vrasjes së vëllait në një atentat, por nuk dha më shumë detaje. “Është e vërtetë. Më ka marrë policia holandeze direkt dhe më njoftoi. Nuk e di kur ka ndodhur ngjarja, dje nga ora 21:00 më morën. Nuk dimë gjë më shumë.

Kemi dërguar njeri atje të merret vesh. Janë edhe fëmijët atje. Kemi 4-5 ditë që kemi folur për herë të fundit, komunikoi me nënën, por nuk na kishte shprehur ndonjë rrezik. Festimi jetonte atje, por është i ndarë nga gruaja” tha Xhemil Lato për Shqiptarja.com. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili udhëtoi drejt vendlindjes së tij në Panaja të Vlorës, ku të afërmit shprehen se nuk e besojnë vërtetësinë e lajmit.

Ndërsa miqtë e tij në mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale akuzojnë se vrasja është politike. “Në Holandë nga vrasës të paidentifikuar, iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për vrasjen e Festim Latos, sot e familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë, me në krye Kryeministri Ali Aliu, është shumë e tronditur, dhe i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqve dhe shkove të tij.

Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, z. Festim Lato është vrasje me motive politike. Festim Lato është heroi i parë Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë t u bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm” shkruan, Ali Aliu i vetëshpallur si “Kryeministri i Republikës së Çamërisë”.

Edhe historiania Elena Kocaqi e njohur si njeri i afërt dhe bashkëpunëtore e Latos, e kontaktuar nga Report Tv u shpreh se është informuar nga miqtë se ‘Presidenti i Republikës së Çamërisë’ është vrarë, por nuk ka informacione për ngjarjen. Por, pavarësisht dëshmisë së familjes dhe miqve në rrjetet sociale nuk ka asnjë informacion zyrtar, ndërsa sipas Policisë së Shtetit nuk ka asnjë sinjal apo kontakt nga autoritetet holandeze për vrasjen e ndonjë shqiptari.

Por kush është Festim Lato?
I vetëshpallur si President i Republikës fantazmë të Çamërisë’ ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë. Ai e fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze. Lato ishte vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’, ndërsa në Shqipëri ka një histori të gjatë me drejtësinë.

Ai është dënuar disa herë për mashtrim, pas denoncimeve nga shumë persona. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ai është denoncuar dhe akuzuar për mashtrim me mijëra euro, që u merrte qytetarëve të ndryshëm me justifikimin për kauzën e Çamërisë. Në profilin e tij në faqen e Facebook-ut ai ka publikuar disa foto nga aktivitetet që sipas tij realizonte në Bruksel dhe vende të tjera për kauzën çame.

Kundër tij nuk kanë munguar demaskimet për mbledhjen e fondeve përmes mashtrimeve, por që nuk kanë asgjë serioze për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Historiani Arben Llalla në një shkrim në vitin 2017 e cilësonte si mashtrues që gënjente në emër cështjes çame. Ndërkohë që i ati i tij akuzohej si agjent i sigurimit grek.

https://www.facebook.com/ShqiptarjaCom/videos/658116061354952/?t=1

Loading...
Loading...
Loading...