Xhufi kundër Parlamentit: Në Shqipëri ka vetëm dy minoritete, njohja që në 1921

Sot Parlamenti i Shqipërisë do të marrë në shqyrtim minoritetet e vendit, ku më i diskutueshjmi është njohja e minoritetit bullgar, por historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, shprehet kundër vendimit të Komisionit të Ligjeve për futjen e pakicës bullgare në listën e pakicave kombëtare në Shqipëri. Në një prononcim për “Panoramën”, pas vendimit të Kuvendit për të miratuar me konsensus futjen e pakicës bullgare në listën e pakicave kombëtare në Shqipëri, duke e çuar në nëntë numrin e tyre, Xhufi sqaron se vendi ynë ka vetëm dy pakica.

Sipas historianit të njohur, ashtu si në shumë vende të botës, janë të njohura grupimet linguistike apo kulturore, por kurrsesi këto grupime nuk mund të cilësohen si pakica kombëtare.

“O Zot. O Zot. Për mua nuk ka as pakica serbe dhe as bullgare. Për mendimin tim, në Shqipëri ka vetëm dy pakica kombëtare, që janë njohur në Konferencën e Paqes në Lidhjen e Kombeve në vitin 1921. Këto pakica janë: pakica greke dhe pakica malazeze. Këto të tjerat unë nuk i njoh. Ka grupime linguistike, ka grupime kulturore, siç i njeh edhe bota, siç i njeh edhe Italia, por jo pakica kombëtare, siç i kanë quajtur këta”, deklaron Xhufi.

Sipas historianit, vendimi për të pasur vetëm dy pakica kombëtare në vendin tonë është marrë në vitin 1921. Xhufi deklaron se ishte pikërisht Shqipëria që në këtë vit i propozoi Lidhjes së Kombeve që në listën e pakicave kombëtare të përfshiheshin vetëm grekët dhe malazezët dhe ky fakt u pranua gjerësisht edhe nga fqinjët tanë.

“Në vitin 1921, ne kemi hyrë në Lidhjen e Kombeve me kusht që të njohim të drejtat e pakicave. Lidhja e Kombeve njohu atë që propozoi qeveria shqiptare, që në vendin tonë ka pakica greke dhe malazeze. Këtë fakt Lidhja e Kombeve e pranoi 100% dhe nuk kemi pasur probleme”, sqaron historiani Pëllumb Xhufi. Zyrtarisht, Shqipëria aktualisht numëron 8 pakica kombëtare: greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe.

Me vendimin e Komisionit të Ligjeve, bullgarët bëhen grupimi i nëntë i pakicave kombëtare në vendin tonë. Debati për pakicat kombëtare në Shqipëri u hap për shkak të një ligji të sjellë në Parlament nga qeveria, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, ku u kërkua edhe mendimi i grupimeve të ndryshme, pjesë e këtyre pakicave.

loading...