Loading...
Loading...

Një zbulim i rëndësishëm gazi në Qipro hap skenare të reja për Mesdheun lindor, si në aspektin energjetik ashtu edhe gjeopolitik, me rreziqe konkrete për sigurinë në rajon.

“Ilsole24 ore” shkruan se protagonistë të kësaj gjetje janë kompania amerikane “ExxonMobil”, që sëbashku me “Qatar Petroleum” kanë njoftuar suksesin në kërkimet e bëra në bllokun 10. Pusi “Glaucus 1” ka evidentuar, sipas përllogaritjeve, burime mes 142 deri në 227 miliardë metra kub gaz.

Bëhet fjalë për një rezervë “gjigande”, më të pasurën që është gjetur në vitet e fundit në nivel global.

Ky zbulim mund të sjellë një bashkëpunim ndërkombëtar që mund të sjellë në konkretizim projektin e gazsjellësit “East Med”. Gazsjellësi, që do të lidhte Izraelin me Italinë, duke kaluar në Qipro dhe Greqi, ka edhe mbështetjen e Komisionit Europian që e konsideron si një projekt strategjik për diversifikimin e furnizimit kundrejt burimit rus, por që deri tani nuk është bërë asnjë hap para për ta financuar, shkruan scan tv.

Zbulimi i ri në Qipro, hap në fakt skenarë lufte të vërtetë, dhe jo vetëm tregtare. Gazeta italiane shkruan se “Turqia, që nuk e njeh qeverinë filogreke të Qipros e as kufinjtë e ujërat territoriale, po bën kërkime në një distancë të afërt me pusin “Glaucus” 1 dhe tashmë ka nisur të ngrejë zërin”.

“Asgjë nuk mund të bëhet në Mesdhe pa Turqinë” ka deklaruar ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşolu. “Do ua tregojmë ne atyre që vijnë nga larg, me kompanitë e tyre që këtu nuk mund të bëjnë asgjë pa ne”, ka shtuar ai.

Në fakt, kujtimi i Saipem 12000 është akoma i freskët; Anija e kërkimeve të kompanisë ENI vitin e kaluar u detyrua të tërhiqej nga Qipro pasi u rrethua për dy javë nga marina turke.

Loading...
Loading...
loading...