Loading...

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka qenë e ftuar e Zërit të Amerikës gjatë vizitës së saj në SHBA ku ka folur për situatën politike por edhe për politikanët shqiptarë që iu janë refuzuar vizat nga SHBA.

Por e papritur ka qenë pyetja drejtuar zonjës Kryemadhi për nënkryetarin e LSI-së, zotin Petrit Vasili. Gazetarja e VOA-s i tha Kryemadhit se “sipas burimeve tona nënkryetarit të LSI-së, zotit Petrit Vasili i është refuzuar viza” por kryetarja e LSI mohoi. Ajo tha se nuk e beson dhe se nëse ka një njeri pa probleme është ai. Megjithatë Kryemadhi shtoi se nuk e vë dorën në zjarr.

Gazetarja: Znj. Kryemadhi në Kosovë dhe në vendin tuaj ambasada Amerikane po përdor mosdhënien e vizave si një masë ndëshkimore për zyrtarë të korruptuar. Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar se ka rreth 170 politikanë shqiptar që i janë refuzuar vizat, është prekur LSI-ja nga kjo?

Kryemadhi: Nuk di të kem ndonjë informacion, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ambasadën Amerikane për çdo politikanë të korruptuar dhe për pjesëtarët e LSI-së që është pjesë e kësaj liste dhe mendoj që është një nga gjërat më të mira, ne e kërkuam dhe Vetting-un në politikë, ku ne si LSI kemi ngritur komisione Vetting-ut brenda në parti, mendoj që politika shqiptare duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e errët e çdo kandidati.

Gazetarja: Sipas burimeve tona, nënkryetari i LSI-së Z. Petrit Vasili është refuzuar viza, mund ta konfirmoni ju këtë gjë?
Kryemadhi: Jo, nuk besoj se i është refuzuar viza, z. Vasili, sepse në qoftë se ka njeri më me pa probleme është z. Vasili, megjithatë unë nuk e vendos dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim. Ajo që dua të them është që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit në raste të tilla me ambasadën amerikane dhe me LSI-në ne do të jemi të gatshëm, por mos harrojmë vetëm një gjë që z. Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë me z. Lu përsa i përket Reformës në Drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit, i cili ka nxitur dhe ka realizuar përfundimin e komisionit AD-HOC të Reformës në Drejtësi në Shqipëri

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili deklaron se nuk i është refuzuar viza amerikane pasi nuk ka aplikuar që prej vitit të kaluar.

Në përgjigje të interesimit të “BalkanWeb”, Vasili tha se ka qenë disa herë në SHBA i pajisur me vizë zyrtare A2. Ai tregon se vizita dhe kërkesa e fundit për vizë ka qenë në qershor të 2018 dhe se që prej atëherë nuk ka aplikuar më asnjëherë për vizë në ambasadën e SHBA në Tiranë.

“Ju sqaroj që kam qenë disa herë radhazi në Amerike i pajisur gjithmonë me vizë zyrtare A2 duke filluar nga pjesëmarrja në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump në janar 2017 dhe më pas edhe në dy vizita të tjera të njëpasnjëshme.
Vizita e fundit dhe kërkesa e fundit për pajisjen me vizë ka qenë në qershor të vitit 2018 në vizitën e zj.Kryemadhi në Washington ku sërish kam udhëtuar me vizë A 2”, deklaron Vasili për “BW”, duke mundësuar dhe dokumentin.

Loading...
loading...
Loading...