Loading...

Partia Socialiste do të garojë pesë deputetë të Grupit të saj Parlamentar për kryetarë bashkie dhe dy prefektë të sapoemëruar për dy bashki të mëdha.

Socialistët kërkojnë të marrin drejtimin e Bashkisë së Lezhës nga të djathtët me anë të deputetit Pjerin Ndreu, i cili ka kohë që po punon në zonë dhe është prezantuar edhe nga Kryeministri Rama. Një tjetër deputet do të duhet të lërë mandatin e tij për të kandiduar për zgjedhjet lokale. Nuri Belba do të kërkojë votat për Bashkinë e Përrenjasit.

Ndërsa pritet kandidimi i deputetit Rakip Suli për Kamzën. Dy deputetët të tjerë, Flamur Golemi dhe Ilir Xhangolli, pritet të dorëzojnë mandatin e deputetit për të garuar për Bashkinë e Gjirokastrës dhe të Pogradecit, por ende nuk ka pasur prezantim të tyre nga Kryeministri në kuadër të turit që ai po zhvillon në Shqipëri, “Bashkia që duam”.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, në Parlament pritet të vijnë 5 deputetë të rinj nga PS-ja. Ndreu në Lezhë do të zëvendësohet nga Adriana Jaku, mandatin e Belbës në Elbasan do ta marrë Desantila Tahiraj, ndërsa kreu i FRESSH-it, Eljo Hysko, pritet të ulet në Kuvend në vend të Rakip Sulit. Deputeti më i ri i Pogradecit do të jetë Ardit Konomi, pasi do të zëvendësojë Xhangollin.

Ndërsa i pesti do të jetë Laert Duraj, në vend të Flamur Golemit. Në funksion të zgjedhjeve vendore, Kryeministri largoi dy prefektë ish-ushtarakë, që vetë i kishte vendosur gati dy vjet më parë, duke i zëvendësuar nga dy djem të rinj, të cilët vinin pas një eksperience të suksesshme në administratën publike.

Kryeministri Rama emëroi Valdrin Pjetrin prefekt të Qarkut Shkodër, duke e përgatitur për kandidat për të fituar Bashkinë e Shkodrës. Vetë Kryeministri Rama u shpreh i vendosur nga Shkodra se PS-ja do ta fitojë edhe këtë bashki. Po ashtu, kreu i qeverisë pak muaj më parë emëroi Gledian Llatjen prefekt të Qarkut Elbasan, për ta përgatitur atë për të fituar Bashkinë e Elbasanit, të drejtuar prej tri mandatesh nga Qazim Sejdini.

SONDAZHET

Partia Socialiste po kryen sondazhet e fundit në bazë për kandidatët e mundshëm, që do të garojnë për 61 bashkitë në zgjedhjet e 30 qershorit. Lista e plotë me emrat e kandidatëve zyrtarë për 61 bashkitë pritet të bëhet publike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, që do të mbahet më 11 maj, ndërsa 13 maji është afati i fundit për regjistrimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Janë disa bashki, ku PS-së i është dashur të kryejë sondazhe për të gjetur kandidatin më të pëlqyer nga komuniteti për kryetar bashkie. Disa kandidatë janë futur në garë për Bashkinë e Sarandës, për Bashkinë e Durrësit, po ashtu për Bashkinë e Delvinës, Bashkinë e Peqinit, Bashkinë e Gramshit, Bashkinë e Lushnjës etj.. Por disa prej kryebashiakëve të mundshëm janë konfirmuar gjatë turit për “Bashkinë që duam” të Kryeministrit në qytetet e vendit.

Edi Rama ia ka besuar sërish kryeqytetin Erion Veliajt për një mandat të dytë. Dritan Leli në Vlorë, Sotiraq Filo në Korçë dhe Armando Subashi në Fier mbeten të pashqetësuar për mandatin e dytë në krye të bashkive përkatëse. Gjithashtu rikonfirmohen për një tjetër mandat Kastriot Gurra në Librazhd, Tërmet Peçi në Tepelenë, Ndrec Dedaj në Mirditë, Fredi Kokoneshi në Divjakë dhe Arif Tafani në Belsh. Kryeministri zyrtarizoi edhe Tonin Marinaj për Bashkinë e Malësisë së Madhe.

Ish-zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo, do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Beratit. Një tjetër bashki të djathtë, Edi Rama kërkon ta fitojë me Safet Gjicin, i cili në zgjedhjet e 2015- s ka humbur në garën përballë Xhelal Mziut për Bashkinë e Kamzës.

KANDIDATET E PS PER BASHKITE

KANDIDATËT E RIKONFIRMUAR

Tiranë – ERION VELIAJ
Vlorë – DRITAN LELI
Fier – AMANDO SUBASHI
Korçë – SOTIRAQ FILO
Mirditë – NDREC DEDAJ
Librazhd – KASTRIOT GURRA
Tepelenë – TËRMET PEÇI
Divjakë – FREDI KOKONESHI
Belsh – ARIF TAFANI

DEPUTETËT, KANDIDATË PËR BASHKITË
Lezhë – PJERIN NDREU
Përrenjas – NURI BELBA
Kamzë – RAKIP SULI
Gjirokastër – FLAMUR GOLEMI
Pogradec – ILIR XHANGOLLI

PREFEKTËT, KANDIDATË PËR BASHKITE
Shkodër – VALDRIN PJETRI
Elbasan – GLEDIAN LLATJA
KANDIDATË TË RINJ TË PS-SË
Malësi e Madhe – TONIN MARINAJ
Kukës – SAFET GJICI
Berat – ERVIN DEMO
Tropojë – REXH BYBERI
Kavajë – ARBEN HUGIA

Loading...
Loading...
Loading...