Loading...

Shpërthen në flakë pylli me pisha në Kodër Krastë të Elbasanit. Vatra e zjarrit u pikas në mesditë në majën e kodrës dhe për pak minuta zjarri u përhap me shpejtësi i ndihmuar nga thatësira dhe era.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjës të repartit zjarrfikës, emergjencat civile në bashki dhe punonjës të shërbimit pyjor.
Zjarrfikëset e kanë pasur të pamundur që të depërtojnë deri në vatër për shkak të terrenit të thyer. Ndaj për të fikur flakët është punuar me mjete rrethanore, kazma, lopata dhe pompa dore.

Në ndihmë të repartit zjarrfikës në Elbasan kanë mbërritur edhe zjarrfikëse të qyteteve fqinje.
Kjo vatër konsiderohet e rrezikshme, jo vetëm për faktin se po dëmton kurorë e gjelbër, por edhe pse aty pranë ndodhen depot e ujit që furnizojnë gjysmën e qytetit të Elbasanit.
Gjithashtu në disa gropa dhe tunele mendohet se ka edhe municione të hedhura gjatë vitit 1997 të cilat përbëjnë rrezik shpërthimi.
Krasta konsiderohet mushkëria e qytetit të Elbasanit. Por gjatë viteve të fundit fatkeqësisht është goditur nga disa zjarre. Zjarri më i madh ishte ai i gushtit të vitit 2017 kur pothuaj e gjithë kurora u përfshi nga flakët duke shkaktuar dëme të mëdha. Edhe pse është bërë punë për zëvendësimin e pyjeve, sërish rreziku mbetet i madh.

Loading...
Loading...
Loading...