Një 26 vjeçar shqiptar përfundoi në prangat e policisë greke këtë të hënë pasi “theu” karantinën.

Ngjarja ka ndodhur në Voula dhe sipas mediave greke, shqiptari me nënshtetësi helene kishte udhëtuar nga Londra në drejtim të Greqisë pak ditë më parë dhe duhet të qëndronte në karantinë për 14 ditë si rast i dyshuar.

U deshën 14 oficerë policie që ndërhynë për të arrestuar të riun, pasi ishte në gjendje amoku (gjendje e rëndë psikologjike) dhe theu pasqyrat e makinave të parkuara aty pranë.

“Burri në fjalë ishte agresiv. Kur hymë në aparamentin e tij gjetëm një shumë të madhe paundësh britanikë. Ai na informoi se sapo ishte kthyer nga Anglia në mëngjes, gjë që u konfirmua”, tha një prej punonjësve të policisë që mori pjesë në aksionin për arrestimin e tij.

26-vjeçari raportohet se u dërgua fillimisht në Dromokaitio pasi dyshohet se kishte probleme psikologjike dhe më pas u dërgua në Thriassio për ekzaminim, pasi, sipas zyrtarëve të policisë, i riu shqiptar u gjet se kishte ethe si dhe temperaturë 38, çka e bën atë një rast të dyshuar me koronavirus.

Në të njëjtën kohë, 14 oficerët e policisë janë vënë në karantinë dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve.

Ngjarja

Oficerët e policisë morën një telefonatë rreth orës 02:00 të mëngjesit pa shqetësimeve nga banorët.

Kur e gjetën dhe i kërkuan letrat, ai tha se kishte mbërritur disa orë më parë nga Londra, dhe në të vërtetë duhej të ishte karantinuar.

Kur forcat e rendit u përpoqën ta çojnë atë në seksionin Voula, pasi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, i riu nuk pranoi duke u përplasur me ta dhe duke u hedhur pështymë në drejtim të tyre. Përfundimisht, ai u neutralizua dhe u gjobit me shumën e 5 mijë eurove, shkruan “Protothema”.

Të 14 oficerët e policisë që ranë në kontakt me shqiptarin janë futur në karantinë për arsye parandaluese.