Kompania celulare Vodafone Albania ka reaguar në lidhje me mesazhin që u lexua pak ditë më parë në studion e “Open” nga moderatorja e këtij emisioni dhe që supozohej të kishte mbërritur nga telefoni i kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Në lidhje direkte me emisionin ishte i ftuar kryeministri Edi Rama teksa po fliste për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit në vend, kur u ndërpre nga Vasili për t’i lëxuar një sms të mbërritur sipas saj nga Basha.

Në të shkruhej se nëse Rama nuk e menaxhonte dot krizën ku ndodhet vendi, ti hapë rrugë atij për ta drejtuar Basha qeverinë, ndërsa kjo ngjalli reagime të shumta, mesazh të cilin PD e përgënjeshtroi të kishte autorësinë e kryetarit të saj.

Vodafone Albania sqaron se mesazhi në fjalë nuk ka mbërritur nga Basha ndërsa sqaron se është regjistruar nga një platformë e huaj jashtë rrjetit të saj, teksa vendos në dispozicion edhe numrin përkatës por nuk është bërë publik.

Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili shkruan:

“E vërteta është më e qartë dhe e pastër se çdo lojë e pisët apo maskë e skaduar. Le ta shohin dhe gjykojnë vetë shqiptarët se kush e ka mendjen tek pushteti dhe përdor mesazhe të sajuara kundër kreut të opozitës. Me qëllimin e vetëm, të largojë vëmendjen nga propozimi ynë që ndihmon realisht qytetarët dhe biznesin për të përballuar krizën. 👇”

Vetë gazetarja Eni Vasili ka shpjeguar incidentin që ndodhi në emision që hapi një sërë reagimesh, për vërtetësinë e bisedës.

Gazetarja tha se situata e krijuar nuk i lejonte dot verifikimin në kohë reale, se a ishte dërguar mesazhi nga Basha.

Ajo sqaroi se e ajo që e shqetëson më shumë në këtë situatë është cënimi i privatësisë, nëse mundësia e ndërhyrjes nga një haker është e vërtetë (lexo të plotë).