Loading...

Një ngjarje tragjike ndodhi paraditen e 31 Dhjetorit në Melbourne të Australisë. Veton dhe Lindita Musai, 29 dhe 25 vjeçe, një çift bashkëshortësh me origjinë shqiptare u qëlluan për vdekje përpara shtëpisë së tyre. Autor i ngjarjes së rëndë dyshohet se është babai i vajzës, i cili pasi qëlloi me armë çiftin, tentoi të vetëvritej.

Sipas mediave australiane, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:30 (me orën lokale) të së martës. Autori, 55-vjeçari Osman Shaptafaj, shkoi në shtëpinë e çiftit, që sapo kishte festuar përvjetorin e parë të martesës dhe qëlloi për vdekje të bijën 25-vjeçare, e cila humbi jetën në vendngjarje. Ndërsa bashkëshorti i saj 29-vjeçar u dërgua në gjendje kritike në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Dëshmitarë thanë se e kishin parë autorin t’i vinte armën në kraharor dhëndrit të tij duke e qëlluar. Më pas ai e kishte kthyer armën nga vetja. 55-vjeçari, i cili jetonte në Altona North, u dërgua në spital si pasojë e plagëve, ku dhe ndodhet i ruajtur nga oficerët e policisë.

Një i afërm i çiftit Musai nëpërmjet një postimi në Facebook konfirmoi se autori i dyshuar ishte babai i Linditës. “Sesi mundet një baba t’i marrë jetën të bijës është përtej logjikës. Sot humbëm kushëririn tim të vogël Veton Musai dhe gruan e tij engjëllore Lindita Musai. Nuk kam fjalë për të përshkruar atë çka ndjej”, shkruante i afërmi i çiftit.

Mediat australiane raportojnë se e gjithë skena e krimit ka tronditur familjarët e çiftit, që mbërritën në vendngjarje. Në media nuk ka ende të dhëna për vendlindjen e viktimave, apo sa kohë kishin të vendosur në Australi.

Megjithatë në një vështrim në rrjetet e tyre sociale, Vetoni dhe Lindita dukeshin tejet të dashuruar dhe të lumtur me njëri-tjetrin.

Mediat vendase shkruajnë gjithashtu se Lindita punonte në agjencinë e pronave të patundshme Colliers International, ndërsa Vetoni punonte në National Australia Bank.

Motivet e kësaj ngjarjeje tragjike momentalisht mbeten mister./tvklan.al

Loading...