Qindra njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë helmuar në Iran pasi pinë alkool me përqëndrim të lartë, për shkak se besonin se kjo mund të kuronte koronavirusin.

E gjithë kjo ndodhi pas një lajmi të rremë që u përhap me shpejtësi në mbarë vendin islamik, ku thuhej se alkooli industrial mund të shëronte koronavirusin.

Zëdhënësi i gjykatës iraniane, Gholam Hossein Esmaili, raportoi se deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 600 njerëz, ndërsa rreth 3 mijë të tjerë ndodhen në spital, me shenja helmimi.

Esmaili tha:

Shifrat janë shumë të larta dhe përtej pritshmërimeve tona. Konsumi i alkoolit nuk është kurë, por mund të jetë vdekjeprurës.
Duke folur për Agjencinë e Lajmeve Tasnim, ai tha se shumë persona, që dyshohet se përhapën lajmin e rremë, janë vënë në pranga tashmë.

Ai shtoi:

Kemi kryer disa arrestime dhe do të tregohemi të rreptë me ta. Ata duhet të përgjigjen për veprat e tyre kriminale, për shkaktimin e vdekjeve dhe dëmtimit të qytetarëve.
Irani është vendi më i prekur nga Covid-19 në Lindjen e Mesme, pasi ka konfirmuar mbi 62 mijë raste të virusit dhe 3872 vdekje.

Në shtetin islamik janë ngritur shumë pikëpyetje, pasi autoritetet fillimisht u përpoqën të mbanin të fshehtë ashpërsinë e shpërthimit të Covid-19.

Deri më tani mjekët nuk kanë identifikkuar kurë shërimi për koronavirusin, por kanë rekomanduar një numër të kufizuar medikamentesh, të cilat mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat.

Në 24 orët e fundit Irani konfirmoi 2089 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 62,589 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Burimi: Daily Mail|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania