Ben Blushi, kryetari i LIBRA-s, ka propozuar sot formulën e tij për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama e për këtë i ka dërguar një ftesë,  kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës, por edhe aleatit të Ramës, Ilir Metës.

Ja llogaritë e Blusht për rrëzimin e qeverisë dhe nga ana tjetër, zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor:

“Nëse Partia Demokratike nuk hyn në zgjedhje pa Qeveri tjetër dhe LSI thotë se nuk hyn në zgjedhje pa Partinë Demokratike, – shkruan ai në Fb, – atëherë ka një zgjidhje që zgjedhjet te mbahen dhe PD bashkë me LSI të hyjnë në zgjedhje në 18 qershor.

Rilindja nuk ka më shumë se 60 mandate sot në parlament që do të thotë se gjithë partitë e tjera bëjnë të paktën 80 mandate.

Pra nëse PD ka interes të nxjerrë Rilindjen nga Qeveria dhe LSI ka interes të nxjerri PD nga çadra, janë votat për mocion mosbesimi kundër Edi Ramës.

LIBRA do pranonte të rrëzonte Qeverinë për të ngritur Drejtësinë.

Nëse PD do pranonte ta kalonte reformën në drejtësi dhe LSI do pranonte të bashkohej në nje mocion kundër Edi Ramës, dy votat e LIBRA do ishin pro në këtë rast.

Kjo është e vetmja rrugë ligjore, kushtetuese, politike dhe e mbetur për të krijuar një qeveri tjetër, për të garantuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe për të kaluar Vetingun njëkohësisht.

E ftoj Lulzim Bashën dhe Ilir Metën në mocion. Jemi 80 kundër 60. Këto numra mund të zgjidhnin Presidentin në dy raundet e mbetura, mund të bënin ndryshimet që OSBE ka parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe natyrisht të garantonin një qeveri teknike deri ditën e zgjedhjeve.

Unë do votoja çdo Kryeministër teknokrat që nuk do ishte as rilindas dhe as demokrat dhe çdo president dinjitoz që do ishte njëkohësisht patriot dhe demokrat.”

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here