Euro vazhdon të fitojë terren ndaj monedhës kombëtare. Sot në tregun valutor një euro po blihet nga tregtarët për 128 lekë dhe po shitet me 133 lekë. Një nivel i tillë i euros është vrenjtur në vitin 2017, kur kursi i këmbimit të euros ishte mbi 130 lekë. Për ekspertët kjo lidhet direkt me pasojat e COVID-19, që ka bllokuar shumë ekonomi, ka ulur investimet dhe të hyrat valutore janë reduktuar ndjeshëm.

Monedha kombëtare lekë po zhvlerësohet çdo ditë e më shumë. Me përhapjen e COVID-19 monedhat e huaja kanë njohur një rritje të vazhdueshme, duke arritur në vlera tepër të larta. Sot një euro po shitet në tregun valutor me 132 apo 133 lekë, ndërsa po blihet nga tregtarët mbi 128 lekë. Këtë të diele një qytetarë mund të shesë valutat e tij në euro për më shumë se 128 lekë, vlerë që është në rritje prej më shumë se 10 ditës.

Ndikim të drejtpërdrejtë në këtë situatë ka dhënë përhapja e COVID-19 dhe izolimi i shumë shteteve. Referuar të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë 1 euro këmbehej me 122 lekë në fillim të muajit mars, ndërsa tashmë ka kaluar mbi 128, duke fituar më shumë se 2 pikë. Kjo luhatje e valutës evropiane sipas ekspertëve lidhet me mungesën e të hyrave valutore në vend, për shkak se qarkullimi është bllokuar, shumë aktivitete ekonomike janë pezulluar, ka rënie të investimeve pasi janë stopuar dhe padyshim kjo situatë ka reduktuar nivelin e remitancave në vend.

Në këtë situatë kërkesa e qytetarëve për të këmbyer euro është më e lartë se oferta që iu bëhet në pikat e këmbimit valutor, duke çuar në rritjen direkt të vlerës së monedhës evropiane. Sipas ekspertëve kjo paqëndrueshmëri në tregun valutor do të jetë e përkohshme, dhe vlera do të stabilizohet me normalizimin e situatës së krijuar nga COVID-19.

Këmbimi i euros në shifra të tilla për herë të fundit ka ndodhur në vitin 2017, ku ajo shitej e blihej mbi 130 lekë referuar kursit të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë rritje kanë pësuar edhe valutat e tjera si dollari, Paundi britanik dhe Franga Zvicerane.