Loading...

 

Ka qenë jashtëzakonisht i madh dëshpërimi i familjarëve pas vdekjes së vajzës dhe nuses së tyre në maternitet.
Rexhina Debrova u nda nga jeta pas ndërhyrje kirurgjikale të kryer nga mjekët. Sipas tyre, operacioni ka përfunduar mirë dhe foshnja e seksit femër gjithashtu gëzon shëndet të plotë. Por një komplikacion pas lindjes duket se është bërë shkak i vdekjes.
Askush nuk e ka pritur një gjë të tillë. Si familja ashtu edhe vetë mjekët shprehen se shtatzania e së ndjerës ka shkuar mirë, vetëm se ajo kishte kaluar nga data e lindjes dhe ishte 42 javëshe. Edhe analizat e kryera gjatë shtatzanisë dhe para operacionit nuk kanë nxjerrë asnjë shqetësim.
Pas operimit gjendja është përkeqësuar menjëherë dhe ajo ka kaluar në arrest kardiak. Më tej mjekët dyshojnë se kjo mund të jetë një formë hiperakute e trombozës pulmonare, por i mbetet ekspertimit mjeko-ligjor që të përcaktojë shkakun.
Familjarët janë shprehur të revoltuar se përgjegjësia bie mbi bluzat e bardha, por është vetëm ekspertiza ajo që do të thotë të vërtetën.
Policia ka shoqëruar mjeket dhe infermierët dhe i ka marrë në pyetje. Ka dyshime se vetë mjekët po tentojnë t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit dhe kjo manifestohet edhe tek familjarët që akuzojnë me emra të veçantë. Por janë hetimet, dhe veçanërisht ekspertiza që do të sqarojë gjithçka.
Deri më tani familjarët kanë deklaruar se do ta ndjekin rastin dhe i mbetet së ardhmes se si do të ndodhë me këtë rast dhe nëse do të ketë përgjgjegjës apo jo.
Nga ana tjetër mësohet edhe një fakt trishtues. Babai i vajzës ndodhet në Gjermani dhe ai e ka mësuar lajmin tronditës nëpërmjet portaleve dhe rrjeteve sociale. Merret me mend dhimbja e babait për më tepër që nuk ishte pranë në çastet e fundit të saj.

Loading...
Loading...