Loading...

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur Tropojën. Mbrëmjen e djeshme u ekzekutua pranë biznesit të tij Guxim Gjuriqi 47 vjeç, djali i tezes së Fatmir Haklajt. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, Kukës dhe dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

TROPOJE-Një biznesmen, pronar i një pike karburanti dhe restoranti është vrarë mbrëmë me armë zjarri rreth orës 23:32. Viktima është Guxim Gjuriqi 47 vjeç, djali i tezes së Fatmir Haklajt. Ai është vrarë pranë pikës së karburantit të tij në lagjen “Partizani”. Autori i ka zënë pritë dhe e ka ekzekutuar, ndërsa më pas është larguar duke humbur gjurmët në errësirë duke përfituar nga nata.

Ende nuk dihet nëse vrasja e kushëririt të parë të Fatmir Haklajt lidhet me ndonjë konflikt të castit apo hakmarrje. Por kush ishte Fatmir Haklaj? Fatmir Haklaj ka qenë ish- shefi i komisariatit të policisë së Tropojës. Më 9 janar të vitit 1998, ai dha dorëheqjen nga posti i shefit të komisariatit. Fatmir Haklaj dha dorëheqje nga strukturat e policisë së shtetit, menjëherë pasi iu vra vëllai Shkëlqim Haklaj. Ndërkohë që u vra më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së Guxim Gjuriqit, që e konsideron të paqartë, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, Kukës dhe dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Viktima në komunitet njihej si njeri i qetë pa konflikte dhe probleme.

Vrasja në Tropojë, kryebashkiaku: E para pas 18 viteve në qytet, ishte njeri pa probleme
Kryetari i bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi në një prononcim për Report Tv u shpreh se viktima njihej në komunitet si njeri i qetë dhe pa probleme. Ai theksoi se kjo është vrasja e parë brenda në qytet pas 18 viteve. “Unë nuk e njoh për njeri me probleme, ishte i qetë, nuk e di nëse ka hakmarrje. Brenda në qytet kjo është vrasja e parë që ndodh pas 18 viteve” tha ai.

Loading...