Kohë më parë emisioni ishte transmetuar rasti i një konflikti në Sarandë për një ndërtim.

Leja e ndërtimit, e shkruar nga Bashkia e Sarandës për një subjekt privat, rezulton më e madhe se objekti ekzistues. Gjithashtu mos respektimi i distancës nga objekti në objekt, ka krijuar konfliktin. Një pallat 6-katësh, që rrezikon të shembet, i bllokon dritaret dhe ballkonet në pjesën ku ndërton Nexhip Sulejmani. Po ky konflikt duket se nuk është ndalur.

Erion Prifti, palë në këtë histori, tregon për emisionin “Stop” se ditën e djeshme është dhunuar nga tre persona dhe është kërcënuar me jetë nga djali i Nexhip Sulejmanit, dhëndri dhe nipi i tij. Erioni ka përfunduar në spital dhe thotë se dhunuesit e tij as janë arrestuar dhe as ndaluar nga policia e Sarandës.

I dhunuari Erion Prifti: Quhem Erion Prifti! Jam banor i rrethit të Sarandës. Kam marrë një apartament në lagjen Kanali i Cukës. Aktualisht apartamenti ndodhet mbi Hotel Nertilin, pranë BukenVilës. Unë me zotërinë në fjalë kam një procedurë gjyqësore. Kisha bërë një kërkesë para nja 3 muajsh, për t’i ndërprerë punimet edhe për shqyrtuar, sesi ka dalë, sesi është leja e atij zotërisë…? Zotëria në fjalë më ka ardhur tek ballkoni dhe më ka prish të gjithë fasadën e shtëpisë time.

Gazetari: Pra ky është konflikti, ju jeni në një proces gjyqësor me zotin Nexhip Sulejmani?

I dhunuari Erion Prifti: Unë jam në një proces gjyqësor me zotin Nexhip Sulejmani edhe për arsyen, se kemi këtë koronavirusin dhe nuk pata mundësi, që të vazhdoja ta hidhja në gjyq në themel edhe e lashë situatën, që të mbarojë një çikë kjo situata e vështirë që ndodhemi tani në këto momente… Nejse! Pas këtij konfliktit, që pata me bisedime me Nexhip Sulejmanin, zbres poshtë nga ora 12:20-12:25, iki të marr nja dy gjëra në supermarket, për fat të mirë dhe supermarketin e kam në derë të shtëpisë, ndërkohë që pa vajtur atje, ndodhi ajo, që ndodhi…

Gazetari: Kush është ai personi që ju ka ndalur në fillim?

I dhunuari Erion Prifti: Djali i zotit Nexhip Sulejmanit, dhëndri i Nexhip Sulejmanit dhe nipi i Nexhip Sulejmanit. Personi, që më mban nga krahu, më thotë dua të bëj një bisedë, të sqarojmë një gjë.

Gazetari: Kush ishte ky personi që të ndaloi në fillim?

I dhunuari Erion Prifti: Nuk e njoh me emër, është nipi i Nexhip Sulejmanit, personi i dytë, që vjen direkt dhe bën goditjen, është djali i Nexhip Sulejmanit, personi i tretë, që afrohet dhe më gjuan është Nertili, dhëndri i Nexhip Sulejmanit.

Gazetari: Ju keni denoncuar, ju ka ardhur policia? Doktori çfarë ka thënë?

I dhunuari Erion Prifti: Doktori erdhi, mbajti një proces-verbal, erdhi dhe OPGJ, mbajti dhe ai një proces-verbal. Mbas një momenti kishin shkuar tek dyqani ku mora videot edhe i kishte treguar videot zotëria, shikoni çfarë i keni bërë djalit. Dhe i kishin thënë që ne do t’i vrasim fare, do t’i zhdukim si pallat.

Gazetari: Personat që ty të kanë dhunuar nuk janë arrestuar?

I dhunuari Erion Prifti: Po!

Emisioni “Stop” ka mundur të sigurojë edhe videon, që tregon aktin e dhunimit të Erionit nga personat e identifikuar prej tij.

Aty shfaqen tre persona. Në fillim duket një person, i cili kërkon të takojë Erion Priftin. Takimi në pamje të parë duket normal, por më pas dallohet që në këtë bisedë diçka nuk shkon.

Në cepin e murit nga krahu i majtë dallohet një person që vjen dhe grushton Erion Priftin në kraharor. Nga ana tjetër e trotuarit vjen personi i tretë i cili tërheq Erion Priftin drejt rrugës. Në video duket qartë dhuna barbare e tyre në ngjarjen që ka ndodhur dje, 4 Prill 2020.

Ngjarja ndodh në harkun kohor të një minute. Është një qytetar i cili ndërhyn dhe disa persona që dalin nga ana tjetër e trotuarit që ndalojnë dhunën./Tvklan.al