Dumreja i kthehet bimës medicinale të Rigonit.
Për shkak të thatësirës, natyrës së tokave dhe largësitë nga qendrat e banuara, prej kohësh fermerët e kësaj treve ishin specializuar për prodhimin e duhanit. Por gjatë viteve të fundit u zhgënjyen shumë pasi duhani u mbeti stok pa shitur.
Atëherë ata hodhën vështrimin nga forma të tjera të kultivimit në bujqësi për të mos lënë tokat djerr. Dhe bimët medicinale janë një dritare dhe perspektivë e re.
Kështu nisi kultivimi i rigonit. Në fillim në pak familje, dhe tani në masë mijëra të tilla në të gjithë trevën e cila numëron jo pak, por rreth 42 mijë banorë.

Duke parë kultivimin në rritje të bimës, atëherë në qytetin e Belshit u ngrit edhe një magazinë e grumbullimit të rigonit. Kjo qendër mbledh për çdo vit rigonin e Dumresë dhe zonave përreth, përfshi edhe fshatra të Lushnjës apo Peqinit.
Bima ka përparësi se përshtatet në toka të thata dhe mbillet një herë në 7 vjet çfarë e favorizon atë në krahasim me kulturat e tjera. Veç kësaj fermerët nuk i lënë tokat djerr dhe mund të merren me punë të tjera apo emigracion.

Xherija është fshati kampion në kultivimin e rigonit. Pothuaj të 150 familjet e këtij fshati merren me rigon. Sipas të dhënave, i gjithë fshati prodhon mbi 100 ton rigon dhe përfiton mesatarisht 300 milion lekë në vit nga kultivimi i rigonit. Vetë fermerët kanë shpikur pajisje të thjeshta që lehtësojnë punën e tyre për të shkundur dhe situr farat e bimës.
Për çdo 14 korrik ky fshat organizon edhe “Festën e Rigonit” duke e kthyer atë në një traditë të bukur në të cilën shpërndahen çmime dhe organizohen aktivitete artistike dhe kulturore.

Por si gjithnjë, probleme me çmimin. Në fillim fermerët ishin të kënaqur, ndërsa tani rigoni i tyre, edhe pse cilësor, grumbullohet me çmim më të ulët. Kompanitë justifikohen duke thënë se çmimi varet nga tregu botëror.
Fermerët kërkojnë ndërhyrjen e strukturave shtetërore për të garantuar tregun dhe çmimin e bimës me të cilën ata mbahen.
Dumreja shquhet për duhanin, ullishtat, vreshtat dhe së fundmi edhe për rigonin. Infoelbasani.al