Një person, i cili ka qenë dëshmitar okular në ngjarjen e ndodhur dy netë më parë në qytetin e Vlorës, rrëfeu se si ndodhi sherri, ku Arben Beqiraj pronari i lokalit humbi jetën nga përplasja me armë.

Dëshmitari tregoi se pronari i lokalit i kërkoi autorit të dyshuar të ngjarjes Edurart Xhezos që po kalonte me kalë në mes të pushuesve, të tregonte kujdes pasi po shqetësonte plazhistët.

Gjithashtu ai shton se pronari, Arbeni, i kishte futur një dackë personit që po kalonte me kalë, pasi aty kishte gra e fëmijë. Më pas kishin ardhur një grup njerëzish, të cilët fillimisht kishin debatuar me pronarin e lokalit, për të sqaruar situatën.

34-vjeçari u rikthye për t’u hakmarrë me një kallash në dorë dhe qëlloi në drejtim Beqirajt, djalit të tij 18-vjeçar Ergestit dhe kushëririt 50-vjeçar Nesim Hodaj me breshëri.

Ata janë identifikuar si Ariel Kingji, 18 vjeç, Çelik Lena, 20 vjeç, dhe G. Lena, të cilët janë shpallur në kërkim bashkë me 34-vjeçarin Xhezo. Sipas hetuesve, në momentin e të shtënave, Xhezo ka shkuar në lokal bashkë me një prej tre bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa dy të tjerët kanë qëndruar në distancë.

49-vjeçari, nga breshëria, mori të paktën gjashtë plumba, ku një prej tyre që mori në pjesën e gjoksit rezultoi fatale për jetën e tij. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku iu nënshtrua menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale, babai i tre fëmijëve ndërroi jetë disa orë më pas, shkruan Panorama.

Ndërkohë, i biri, Ergest Beqiraj, 18 vjeç, dhe kushëriri, Nesim Hodaj, 50 vjeç, kanë marrë plagë në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas sulmit me armë, katër të dyshuarit janë larguar me një automjet në drejtim të Pyllit të Sodës duke i shpëtuar arrestimit nga forcat e Policisë, pavarësisht se në kërkim të tyre u vunë efektivë të Komisariatit të Vlorës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, janë shoqëruar rreth 20 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi atë që ka ndodhur.