Foto që shihni është fiksuar sot në mesditë në një nga kazanët e mbeturinave në Elbasan. Pikërisht në zonën në afërsi të Spitaleve apo Universitetit.

Nga foto shihet se si një shtetas, jo shumë i vjetër, është duke kontrolluar për të gjetur diçka për të ngrënë, ose edhe për të mbledhur vjetërsira për të siguruar mbijetesën. Ndoshta edhe të familjes së tij.

I publikojmë këtë foto dhe këtë shkrim për të sensibilizuar instancat përkatëse pasi pas gati një javë shtetrrethim, një pjesë shumë evarfër e popullsisë ka nevojë për ndihmë emergjente. Ata nuk kanë asgjë nëpër shtëpitë e tyre pasi e siguronin jetën përmes mbledhjes së kanaçeve apo mbeturinave ushqimore nëpër kazanë dhe gjetiu.

I tillë ishte edhe rasti i romëve që protestuan. Nuk kanë se çfarë të humbin se edhe romët mbahen me shitjen e vjetërsirave apo kanaçeve.
Ndodhur përballë kësaj situate, kjo kategori nuk merr asnjë masë mbrojtëse, nuk vendosin as doreza dhe as maska.

Ndaj kërkohet ndërhyrje urgjente. Ata kanë nevojë thjesht për një thes me miell. Dërgojuani nëpër shtëpi e u thoni që të mos dalin. Besojmë se ky shtet ka të paktën miell sa ti mbajë ata me bukë thatë.

Veproni shpejt sa nuk është vonë!