38-vjeçari i arrestuar tri ditë më parë, pasi dyshohej se kishte trafikuar një makinë të grabitur në Gjermani, para hetuesve ka dalë me një version të tijin.

Duke paraqitur një kontratë qiramarrjeje, Mendu Duka nga Elbasani u ka thënë hetuesve se ai ka një kontratë me kompaninë në Gjermani dhe kjo kontratë përfundon në datën 2 shtator.

Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” deri në sqarimin e rrethanave.

Një kopje të kësaj kontrate që ka paraqitur Duka për hetuesit e disponon edhe gazeta “Panorama”. Sipas kësaj kontrate , 38-vjeçari ka paguar një shumë prej 9 mijë eurosh për marrjen me qira të mjetit dhe është firmosur në datën 1 korrik, me afat deri në 2 shtator të këtij viti.

POLICIA

Disa ditë më parë, Policia bëri të ditur arrestimin e 38-vjeçarit dhe shpalljen në kërkim të një tjetër shtetasi, si bashkëpunëtor në vjedhje. Sipas Policisë, makina ka hyrë në Shqipëri në datë 13 korrik, ndërsa në 30 korrik është denoncuar e grabitur në Gjermani. “Falë një pune të mirorganizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas një automjet i tipit ‘Lamborghini Huracán’.

Ky mjet, nga shteti gjerman më datë 30.07.2019 është deklaruar i vjedhur. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Shtutgart, Gjermani, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Trafikimi i mjeteve motorike’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’.

Policia shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpunëtor)”, njoftoi Policia. Policia tha se ka dyshime se Mendu Duka do ta shiste mjetin e deklaruar të grabitur në Shqipëri dhe se makina ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro.