Arrestohet shoferi që përplasi me makinë policin

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi kundërshtoi me dhunë dhe goditi me mjet punonjësin e Policisë Rrugore për shkak të detyrës. Burimpe bënë me dije se bëhet fjalë për Aldo Llanin, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, gjatë patrullimit në Unazën e Re, patrulla e Policisë së qarkullimit rrugor i ka bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit sepse qarkullonte pa rrip sigurimi dhe gjatë komunikimit të masës administrative të dhënë nga ana e tyre për shkeljen e kryer, i riu ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe më pas në tentativë për t’u larguar, ka goditur me mjet punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime në këmbë, jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti që drejtonte shtetasi A. LL. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik dhe “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”.