Videoja ku pronari i restorantit, Mihal Kokëdhima, kushëri i ish-deputetit Koço Kokëdhima, u hipi mbi makinë turistëve spanjollë të shoqëruar nga dy shqiptarë dhe për rreth 3 kilometra rrugë tentoi t’i çante xhamin e përparmë duke i terrorizuar, ka bërë xhiro e rrjetit.

Dëshmitë e klientëve të pakënaqur që kishin vizituar restorantin “Panorma” në Porto Palermo ku ndodhi edhe ngjarja që skandalizoi edhe më shumë imazhin e turizmit shqiptar, janë të pafundme.

Por ka patur edhe nga ata persona në anën e Kokëdhimës, njerëz të tij që kanë rrëfyer një tjetër anë të historisë duke shtuar se e njohin atë prej vitesh.

Në një dëshmi për Report Tv, një person i afërt i pronarit të restorantit, i cili e frekuenton çdo vit atë dhe ka qenë i pranishëm në skenën e ngjarjes shprehet se turistët i kanë ofenduar Kokëdhimës bashkëshorten dhe vajzat e stafit.

Sipas tij, turistët nuk kanë dashur të paguajnë pasi kishin konsumuar ushqimin duke pretenduar se nuk u kishte ardhur në tryezë lloji i peshkut që ata kishin porositur.

I afërmi i Kokëdhimës shprehet:

Kam qenë klient për çdo vit, duke ngrënë ushqim. Jam njeri i tij, dhe nuk e them se jam njeri i tij. Në restorantin e tij është të hash ushqim me gjithë familjen, edhe ndjen një kënaqësi të plotë dhe të pastër. E ka ngritur që nga guri i parë me gjakun e tij. Ata njerëz që erdhën atë ditë me ata dy shoqërues shqiptarë, ata ofenduan gruan e tij dhe ata që shërbyen në mënyrë perfekte se atje ka edhe kameriere. Atë e fyen aq rëndë sa ai momentalisht humbi logjikën. Unë kam qenë në restorant. Tek ky incident që ka ndodhur nuk është mirë për asnjë familje shqiptare. Por e vërteta të dalë siç është. Ata u ngritën dhe i goditën brenda në lokal, i goditën gruan dhe i shanë gruan, nga grupi spanjoll dhe shqiptarët. Vet spanjolli i ka goditur gruan, për këtë që them mbaj përgjegjësi.”
Ndër të tjera, ai zbulon se një vit më parë, Mihal Kokëdhima ka marrë gjobë 60 milionë lekë të vjetra nga shteti, por këmbëngul se ai ka qenë i rregullt me gjithçka në restorantin e tij. Në fakt, restoranti dhe hoteli “Panorma” siç raporton Shqiptarja, rezulton të jetë pa leje, dhe në proces legalizimi, ndërsa në vitin 2012 bashkia e Himarës e ka shembur një herë për shkak të mos pasjes së lejes për ndërtimin buzë detit.

Për gazetarin Limos Didani, ai shtoi:

Ai u kërkoi të bënin pagesën dhe ata i thonin nuk më dhe këtë peshkun, nuk më dhe atë. Zotëri i tha ai i ke të gjitha në tavolinë edhe në menu me kupon të rregullt me të gjitha. Vjet e kanë gjobitur edhe 60 milionë lekë shteti shqiptar kur ai nuk ka pasur asnjë lloj gabime. Ai i ka paguar të gjitha. Ai në çdo lloj mënyre të jetës më të sinqertë se ai njeri nuk mund të gjesh. Mua mund të më gjesh gabime, por atij njeriu nuk i gjen gabim.”
Një tjetër dëshmitar u shpreh:

Unë isha me familjen dhe ndodhi një keqkuptim dhe spanjollët u çuan dhe po debatonin. Pronari i lokalit debaton dhe po fliste me dikë tjetër. Çohet një çun qeros dhe e ofendon pronarin. Biseduan jashtë, ai mori makinën dhe ikën.”
Kokëdhima deklaroi në gjyq se turistët donin ta shtypnin dhe se ai ju hodh makinës për të shpëtuar. “Xhamin e theva për t’u mbajtur”,- tha 51-vjeçari, ndërsa shtoi se nuk i ka prekur me dorë turistët që në këtë udhëtim shoqëroheshin nga dy shqiptarë. Sot, restoranti është i mbyllur.joq.al