Loading...

Shqipëria është mundur nga Franca me rezultatin 4-1. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje të dobët, duke pësuar gol që në minutën e tetë. U panë probleme të theksuara në të gjitha repartet, por mbi të gjitha një zgjedhje e çuditshme për të luajtur me Roshin nga krahët e mbrojtjes. Për fat të keq, Shqipëria nuk gjuajti asnjëherë në portën e Loris deri te penalltia e Cikalleshit, ndërkohë që francezët dominuan totalisht.

Koman Zhirud

Edi Reja u qëndroi besnik ideve të tij për të luajtur me skemën 3-5-2 (në shumicën e kohës 5-3-2), por kjo rezultoi një zhgënjim. Manovrat e kuqezinjve ishin të ngadalta, të lexueshme dhe pa asnjë rrezikshmëri. Bekim Balaj nuk mori asnjë pasim të saktë, ndërkohë qe mesfushorët Ramadani, Bare dhe Abrashi hasën në vështirësi të mëdha. Kjo, për shkak të cilësive të jashtëzakonshme të kundërshtarit, por edhe sepse skuadra jonë nuk funksioni asnjëherë nga krahët.

Koman

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-0 të vendësve, falë golave të shënuar nga Koman 8’ dhe Zhiru 27’. Mund të kishte shkuar më keq, por Grizman humbi një penallti në minutën e 37-të, pasi goditi traversën. Në pjesën e dytë francezët thjesht u argëtuan në fushë, ndërkohë që Reja me gjithë se aktivizoi Cikalleshin, Gjasulën dhe Xhakën, nuk arriti të ndryshonte asgjë në lojën e Shqipërisë.

Koman sërish në minutën e 68-të dhe Ikone në minutën e 85-të vulosën “pokerin” e vendësve. Ndeshja e sotme e kuqezinjve ishte tërësisht për t’u harruar. Të humbësh me kampionët e botës është gjëja më normale, por të humbësh pa luajtur futboll dhe pa luftuar si duhet, atëherë kjo është shqetësuese. Goli me penallti i Cikalleshit në fund ishte për statistikë dhe thjesht një sinjal se kavajasi nuk mund të qëndrojë në stol ndeshjen e radhës.

FRANCË – SHQIPËRI 4-1

Koman 8′, 68′ , Zhiru 27′ , Ikone 85′ / Cikalleshi 90′ (p)

KOMENTI LIVE:

Përfundon takimi!

Akordohen 5 minuta shtesë!

90′ GOOOOL SHQIPËRIA 4-1/ Sokol Cikalleshi shndërron në gol penalltinë e fituar nga vetë ai!

89′ Cikalleshi depërton bukur nga e djathta, pengohet nga portieri Loris, për gjyqtarin nuk ka dyshime, 11-metërsh për Shqipërinë!

85′ GOL FRANCA 4-0/ Ikone shënon në debutim! Mbrëmje makthi për Shqipërinë që pëson edhe të katërtin! Sulmuesi i reziston ndërhyrjes së Hysajt dhe këtë herë është i saktë në goditjen e tij përballë Strakoshës!

84′ Zëvendësim i tretë te Franca, largohet Lemar, vendin e tij e zë Fekir.

80′ Zëvendësim i dytë te Franca, largohet Lukas Hernandez, vendin e tij e zë Dinj.

78′ Xhaka ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Pavard.

76′ Zëvendësim te Franca, largohet Koman, vendin e tij e zë Ikone, i cili bën debutimin me “gjelat”.

73′ Zëvendësim i tretë te Shqipëria, largohet Abrashi, vendin e tij e zë Xhaka.

71′ Shqipëria provon të shënojë të paktë një gol. Roshi depërton bukur nga e djathta, harkon në qendër, por as Abrashi as Bare nuk arrijnë të gjuajnë drejt portës!

68′ GOL FRANCA 3-0/ Shënojnë sërish “gjelat” me anë të Koman, i cili pas kombinimeve fantastike nga e majta, nuk fal, duke mposhtur Strakoshën, për herë të tretë në këtë mbrëmje!

66′ Klaus Gjasula ndëshkohet me karton të verdhë pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Matuidi!

61′ Zëvendësim i dytë te Shqipëria, largohet Balaj, vendin e tij e zë Cikalleshi.

56′ Aksion fantastik i francezëve, Strakosha bën shpëtimtarin, duke i mohuar golin e tretë Francës.

54′ Shqipëria kryen zëvendësimin e parë, largohet Ramadani, në fushë Klaus Gjasula, i cili bën debutimin me Kombëtare.

52′ Mbrojtja del sërish blof, topi shkon te Lemar, i cili provon brenda zonës, por devijon Ismajli, që shpëton një gol të sigurt!

51′ Një tjetër mundësi për francezët me Zhiru, por sulmuesi nuk koordinohet siç duhet në hyrje të zonës!

48′ Grizman provon nga distanca me një gjuejtje, topi shkon shumë larg kuadratit.

46′ Starton pjesa e dytë, nuk ka zëvendësime!

Përfundon pjesa e parë!

45′ Akordohet 1 minutë shtesë!

40’ Roshi merr fundoren dhe nis harkimin e radhës nga e djathta drejt zonës, por Balaj përsëri nuk arrin devijimin me kokë.

37′ Niset Antuan Grizman, topi stampohet në traversë! Me fat Shqipëria në këto momente teksa shpëton nga pësimi i golit të tretë!

36′ Penallti për Francën, pas ndërhyrjes së gabuar të Mavrajt ndaj Lukas Hernandez. Për gjyqtarin nuk ka dyshime, 11-metërsh për vendasit.

28′ Shqipëria provon të kundërpërgjigjet me Balajn, por gjuajtja e sulmuesit me kokë brenda zonës, shkon ngjitur me shtyllën.

27′ GOL FRANCA 2-0/ “Gjelat” dyfishojnë rezultatin, shënon Oliver Zhiru. Top i gjatë nga prapavija këtë herë në krahun e majtë të sulmit francez. Roshi në kundërkohë nuk arrin të devijojë, teksa Hernandes e kthen drejt qendrës për Zhiru që nuk fal!

23’ Grizman kalon në shpejtësi Hysajn, por Gjimshiti me shpejtësi mbyll mirë duke fituar më pas një rivënie anësore.

17′ Elseid Hysaj fiton goditjen e parë nga këndi për Shqipërinë, kroson Bare, por largon Varan i vëmendshëm.

12′ Pranë golit të dytë Franca, Gjimshiti largon një top të gjuajtur me kokë nga Zhiru, i cili po i drejtohej rrjetës.

8′ GOL FRANCA 1-0/ Zhbllokohet sfida, Koman kalon në avantazh “gjelat”, pas një asist fantastik të Varan. Ylli i Bajernit depërton bukur nga e djathta dhe i vetëm përballë Strakoshës, nuk ka falur duke gjetur rrugën e rrjetës.

5′ Bare harkon nga e majta, provon Uzuni me kokë, jashtë kuadratit. Shqipëria ushtron presing në këto minuta.

3′ Franca fiton goditjen e parë nga këndi. Kroson Grizman, për Lengle, i cili provon me kokë, por topi shkon mbi traun e Strakoshës.

2′ Shqipëria e nis në sulm ndeshjen, teksa provon të rrezikojë me Baren, i cili harkon nga një goditje dënimi, por pa problem për kampionët e botës.

1′ Ka startuar me 7 minuta vonesë sfida për shkak të gafës me himnin shqiptar.

FORMACIONET ZYRTARE:

FRANCA: Loris, Pavar, Varan, Lengle, Lukas, Toliso, Matuidi, Koman, Grizman, Lemar, Zhiru. Trajner: Didie Deshamp.

SHQIPËRIA: Strakosha, Ismajli, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Ramadani, Abrashi, Roshi, Bare, Uzuni, Balaj. Trajner: Edoardo Reja.

Loading...
Loading...