Loading...

 

Fundoset një pjesë e rrugës që lidh Belshin me Peqinin dhe rrugën nacionale Elbasan-Durrës.

Si rezultat i erozionit të tokës dhe gërryerjeve nga rrjedha e rrëmbyeshme e lumit Shkumbin është shkatërruar dhe fundosur një segment i rrugës automobilistike në fshatin Çengelaj në drejtim të fshatit Trash në Njësinë Administrative Shezë në Bashkinë Peqin. Dëmtimi i shkaktuar në këtë segment rrugor rrezikon të paralizojë qarkullimin në një nga akset më të rëndësishme që lidhin mes tyre fshatrat e një pjese të Peqinit me Belshin.

Nga ana e drejtuesit të Njësisë Administrative është vënë në dijeni bashkia e Peqinit dhe pritet që menjëherë inxhinierët të vlerësojnë situatën e krijuar dhe të bëhet projekti për të ndërhyrë urgjentisht për të frenuar shkatërrimin e mëtejshëm të bazamentit të rrugës.

Në një komunikim në telefon Administratori i Njësisë Administrative Shezë, z.Shefqet Tabaku bëri me dije se për situatën e krijuar në rrugën Pajovë-Belsh, ku një segment është shkatërruar si pasojë e reshjeve të rëna gjatë ditëve të fundit është vënë në dijeni bashkia Peqin. Sipas Administratorit Tabaku, bazamenti i rrugës ka rrëshkitur në afërsi të fshatit Gryksh i Vogël. Bashkia Peqin aktualisht ka dërguar në terren specialistët përkatës dhe është vendosur të merren masa të menjëhershme për riparimin e rrugës.

Loading...