Loading...

Një nënë e divorcuar, me 4 fëmijë dhe mes varfërisë bën apel për ndihmë. Ajo kërkon një strehë për veten dhe 4 vajzat e saj. Mimoza Çehu u divorcua nga bashkëshorti pas dhunës së ushtruar ndaj saj dhe fëmijës vetëm 2 vjeç.

Dhunë, sëmundje dhe varfëri kjo është historia e një nëne të divorcuar me 4 fëmijë. Mimoza Çehu nga fshati Peshtresh i Elbasanit i ka dhënë fund martesës për shkak të dhunës së vazhdueshme nga ish-bashkëshorti. Prej 1 viti ajo është pajisur me urdhër mbrojtje, por kjo nuk e ka qetësuar atë, pasi nga momenti në moment i ndruhet frikës së dhunës për të dhe fëmijët e saj. Mimoza Çehu tashmë e vetme dhe me 4 fëmijë jeton mes varfërisë në banesën e vëllait të saj, i cili shumë shpejt do kthehet nga emigrimi bashkë me familjen e tij. Për këtë arsye Mimoza duhet të largohet nga banesa ku është strehuar.

“Tani që mbarova gjyqin, nuk kam asgjë fare jam mes katër rrugëve. Vëllai do kthehet tani, unë vetëm të marr një çadër. I bëj thirrje shtetit të gjithëve të vënë dorën në zemër, se unë vetëm të dal me çadër në rrugë, këtu arrita”, tha nëna e katër fëmijëve.

Mes lotësh ajo tregon për vuajtjet që ka kaluar si pasojë e dhunës, jo vetëm ndaj saj por edhe ndaj fëmijës vetëm 2 vjeç.

“Dita e fundit kur unë ika ai më hodhi fëmijën 2 vjeç, më hodhi djepin dhe unë atëherë i thash Stop dhunës”, tha Mimoza Çehu

Mimoza po i rrit krejtësisht e vetme 4 vajzat, pasi ish-bashkëshorti nuk i paguan as asistencën mujore për fëmijët. Ajo shprehet se vetë i është nënshtruar një operacioni të vështirë dhe ka qëndruar 8 ditë në koma, ndërkohë sipas saj edhe vajza 2 vjeç ka probleme si pasojë e dhunës së ushtruar nga i ati.

“Nuk i pranon fëmijët, i thotë nuk jeni fëmijët. Vajza e mori në telefon i tha babi pse nuk kujtohesh për në ai i tha unë nuk kam fëmijë. Doktori më solli në jetë deri këtu por nuk punoj dot pas operacionit që kam bërë. Kam qëndruar në gjendje kome 8 ditë pas operacionit në shtyllën kurrizore. Edhe vajzën e kam sëmurë nga shtylla kurrizore, ka probleme”, tha Mimoza Çehu

Me zërin që i dridhet Mimoza ka vetëm shpresë te zoti. Ajo bën apel për ndihmë për t’iu siguruar një jetë më të mirë vajzave të saj dhe një strehë.

“Për shqiptarët them të më ndihmojnë, nuk kam fjalë vetëm këtë kërkoj”, tha nëna e katër fëmijëve.

Loading...