Loading...

 

Në jetën e përditëshme ne i quajmë “njerëz me aftësi ndryshe”. Dhe në fakt janë të tillë sepse sillen vërtet ndryshe nga ne. Ata janë më të dashur, më të ndjeshëm, më të sinqertë, më të drejtë, më të dhimbshur. Kanë një sërë virtytesh të pafajshme.

Rasti i një vajze nga Gramshi me siguri që do ju emocionojë. Ajo quhet Fjona Baçi dhe banon në periferi të qytetit në lagjen Koçaj. Është mjaft e lidhur më familjen, dhe familja bën gjithçka për të.  Fjona është shumë e dashur.

Por Fjona ka përjetuar një shqetësim këto ditë.

Diku pranë shtëpisë së saj, një qen ishte i bllokuar në një shkëmb e nuk mund të dilte dot. Sa herë që qeni qante për ndihmë, Fjona bëhej keq e më keq. Bashkë me qenin qante edhe vajza. Madje bëhej e pa përmbajtur. Familjarët nuk kishin mundësi që ta shpëtonin qenin. Sepse ai kishte ngecur në një zonë të thepisur.

Ndaj prindërit vendosin që të kërkojnë ndihmën e Repartit Zjarrfikës.

“Sapo mësuam këtë lajm, menjëherë organizuam punën për të shpëtuar qenin, por mbi të gjitha për të plotësuar dëshirën e Fjonës”, shprehet Ilir Llapushi, shef i repartit zjarrfikës në këtë qytet.

Operacioni nuk ishte dhe aq i lehtë. Burrave u është dashur që të zbresin me litar për të shkuar tek kafsha e gjorë. Dhe, pas shumë përpjekjesh e kanë nxjerrë atë prej andej.

Fjona ka fluturuar nga gëzimi.

Por surprizat e saj nuk përfundojnë me kaq.

E lumtur që qeni shpëtoi, ajo përpiqet që tua shpërblejë me mirënjohje Repartit Zjarrfikës.  Me një tufë të madhe me lule, e shoqëruar nga prindërit, ajo shkon tek reparti zjarrfikës për të falënderuar efektivin.

“Ishte një nga surprizat më të mëdha të jetës sime”, shprehet  shefi repartit Ilir Llapushi.  Rasti na e ka sjellë që të bëjmë punë shumë më të mëdha dhe të vështira se sa kjo.  Por rasti i Fjonës ishte vërtet emocionues”.

Kjo pra ishte historia e Fjonës nga Gramshi, vajzës me aftësi ndryshe, e cila me ndjeshmërinë e saj përcjell një mesazh për të gjithë. Të jemi më të dashur dhe paqësorë me njëri-tjetrin, me kafshët, shpendët dhe çdo krijesë që ka krijuar mëma natyrë.

Loading...