Arrestohen katër persona dhe dy të tjerë shpallen në kërkim nga policia e Dibrës, të akuzuar për grabitjen dhe dhunimin në banesë të çiftit të moshuar në Maqellarë.

Policia bën me dije se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në banesën e çiftit Dulja në Çernenë, ku 6 persona të maskuar kanë hapur derën me forcë dhe kanë dhunuar fizikisht bashkëshortin e më pas gruan, pasi kjo e fundit ka tentuar t’i heqë kapuçin njërit prej personave të maskuar. Pasi dhunuan çiftin, grabitësit kanë marrë nga banesa dy kuti me bizhuteri dhe çantën e gruas ku kishte dokumente dhe para.


Ja njoftimi i plotë:

Policia e Dibrës, pas njoftimit të marrë se në fshatin Cernem, Maqellarë, në orët e vona të datës 22 shkurt, disa persona kishin hyrë në banesën e shtetasit R. D. dhe nëpërmjet dhunës kishin marrë sende me vlerë, menjëherë ngriti një grup të posaçëm hetimor, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, grumbullimit të provave ligjore në vendngjarje, kontrolleve të shumta dhe informacioneve të marra në rrugë operative dhe në kuadër të operacionit policor i koduar “Maqellara”, u bë e mundur që në një hark kohor të shkurtër, të zbardhej ngjarja dhe të viheshin në pranga 4 shtetas të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje, konkretisht:

A. V., 23 vjeç, S. C., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç dhe Z. E., 25 vjeç, banues në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër.

Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve K. B., 35 vjeç dhe A. G., 30 vjeç, bashkëpunëtorë në vjedhjen me dhunë.

Si rezultat i veprimeve profesionale është bërë e mundur gjetja e disa provave materiale të vjedhura në banesën e shtetasit R. D., të fshehura në banesën e autorit të dyshuar S. C.

Materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

Hasie Dulja: Ishte si në luftë, na shkatërruan

Gruaja e shtëpisë ku ndodhi ngjarja ka treguar për mediat gjithë skemën e grabitjes dhe si u dhunuan nga gjashtë grabitësit që iu futën në shtëpi. Sipas saj, gjithçka ishte si në luftë, ndërsa autorët morën gjithçka kishin në shtëpi.

“E gjithë ngjarja ndodhi për pesë minuta, sapo ata u larguan, ne shkuam te komshinjtë për të kërkuar telefon, pasi grabitësit na e vodhën dhe lajmëruam Policinë. Kam parë tmerr, film, si luftë e keqe, na kanë shkatërruar, nuk marr dot frymë, jam edhe e sëmurë me zemër”, ka thënë e zonja e shtëpisë.